Lajme

Përplasje e fortë brenda LDK-së: Ky është delegati që u përjashtua pa asnjë sqarim

Degës së LDK-së në Mitrovicë i është shtuar tensioni politik vetëm pak ditë para mbajtjes së Kuvendit të partisë. Një numër delegatësh, përfshirë edhe Armend Agollin, kandidat për kryetar të komunës, kanë denoncuar përjashtime të papritura dhe mungesë totale transparence në përzgjedhjen e pjesëmarrësve.

Agolli ka deklaruar se ai dhe disa delegatë të tjerë janë përjashtuar pa ndonjë arsyetim zyrtar, duke theksuar se kjo praktikë mund të dëmtojë seriozisht besueshmërinë e procesit partiak.

“Kur delegatët përjashtohen pa kritere të qarta dhe pa transparencë, rrezikohet legjitimiteti i Kuvendit dhe besimi i anëtarëve në institucionet e partisë,” tha ai.

Delegati ka propozuar tri kërkesa konkrete për të zgjidhur situatën: publikimin e listës së plotë të delegatëve dhe kriteret e përzgjedhjes, dhënien e një arsyetimi me shkrim për largimet e delegatëve, dhe trajtimin e barabartë për të gjithë pjesëmarrësit, pa ndikime politike apo presione të brendshme.

Situata ka ngritur dyshime për përjashtime të qëllimshme ndaj delegatëve të konsideruar “të padëshiruar”, duke thelluar mosmarrëveshjet brenda degës së Mitrovicës, një nga më të rëndësishmet në LDK.

Deri më tani, struktura qendrore e LDK-së dhe ajo lokale nuk kanë dhënë ndonjë koment zyrtar për akuzat e ngritura. Kuvendi i partisë pritet të zhvillohet më 31 dhjetor.

Të Ngjashme