Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën këtë fundjavë në Zagreb për të ndjekur koncertin e këngëtarit kroat të djathtë Marko Perković, i njohur si “Thompson”, një figurë tejet kontroverse për shkak të lidhjeve të tij të hapura me simbolikën ustashe dhe përshëndetjet pro-naziste.
Koncerti, i mbajtur në Hippodrome, është raportuar si më i madhi në historinë e Kroacisë, duke tejkaluar në shitje bileta artistë ndërkombëtarë si The Rolling Stones dhe Tina Turner, sipas organizatorëve që pohuan se rreth gjysmë milioni njerëz morën pjesë.
Perković, i njohur për thirrjen e tij “Za dom spremni!” – përshëndetja e përdorur nga regjimi ustash i Kroacisë gjatë Luftës së Dytë Botërore – është kritikuar ashpër për promovimin e mesazheve të urrejtjes në koncertet e tij. Pavarësisht ndalimeve në qytete të ndryshme evropiane, ai gëzon ende popullaritet të madh në vendin e tij dhe është i pranishëm shpesh në aktivitete publike e sportive.
Ndërsa artisti i 58-vjeçar e përshëndeti audiencën me fjalët “me këtë koncert do të tregojmë unitetin tonë”, pamjet televizive zbuluan përshëndetje të hapura fashiste nga turma, përkundër ndalimeve zyrtare të simboleve të urrejtjes. Këngë të epokës ustashe dhe slogane si “Vrit një serb” u dëgjuan gjatë eventit, duke nxitur zemërim dhe shqetësim të gjerë publik.
Ish-kryeministrja Jadranka Kosor e dënoi ashpër heshtjen institucionale dhe qasjen mediatike, duke akuzuar televizionin shtetëror HRT për promovim të ngjarjes pa denoncuar përmbajtjen ekstremiste. Ajo shkroi në platformën X se shteti dhe mediat janë vënë në shërbim të një figure që lavdëron një periudhë kriminale të historisë kroate.
Reagime të ashpra erdhën edhe nga Serbia. Presidenti Aleksandar Vuçiç e cilësoi koncertin si një shfaqje mbështetjeje ndaj vlerave naziste, ndërsa ish-presidenti Boris Tadiç deklaroi se kjo ngjarje ishte “një turp i madh për Kroacinë dhe Bashkimin Evropian”, për shkak se “lavdëroi vrasjen e një kombi të tërë”.
Pamjet e publikuara në rrjet treguan pjesëmarrjen masive të të rinjve të veshur me simbole ustashe, duke ngritur shqetësime për glorifikimin e së kaluarës fashiste dhe ndikimin që kjo mund të ketë mbi të ardhmen e vendit dhe të gjithë rajonit.
