Sipas antropologut evolucionar Colin Shaw nga Universiteti i Cyrihut, rritja e stresit kronik është pasojë e një “mospërputhjeje evolucionare”: trupi dhe truri ynë, të përshtatur për jetën e gjuetarëve-mbledhës, po vuajnë pasojat e jetesës industriale dhe urbane.
Në një eksperiment të ekipit të tij, 160 persona kaluan tre orë në mjedise të ndryshme, në pyje dhe në qytet, ndërsa iu matën biomarkerët, presioni i gjakut dhe gjendja psikologjike. Rezultatet treguan se pjesëmarrësit në pyje kishin presion më të ulët gjaku, imunitet më të fortë dhe ndiheshin më të qetë, ndërsa ata në mjediset urbane përjetuan rritje të stresit dhe presionit të gjakut. Shaw shpjegon se kontaktet me natyrën rikthejnë trupin në një gjendje më të përafërt me kushtet për të cilat jemi përshtatur.
Në një artikull të fundit me studiuesin Daniel Longman, Shaw argumenton se ndryshimet e mëdha të epokës industriale kanë dëmtuar “fitnesin evolucionar” të njeriut, aftësinë për të mbijetuar dhe për t’u riprodhuar. Ai përmend rënien e fertilitetit global dhe shtimin e sëmundjeve inflamatore kronike si prova të ndikimeve negative të jetesës moderne.
Në të shkuarën, stresi akut, si reagim ndaj grabitqarëve, ishte i dobishëm dhe i përkohshëm. Sot, trupi reagon njësoj ndaj konflikteve të përditshme, zhurmës dhe presionit të punës, si ndaj “luanëve” të dikurshëm, por pa periudhë rikuperimi. Kjo çon në mbingarkesë të sistemit nervor dhe probleme afatgjata fizike e mendore.
Shaw thekson paradoksin e përparimit: industrializimi ka sjellë mirëqenie dhe kujdes shëndetësor, por edhe pasoja të dëmshme për sistemin imunitar, kognitiv dhe riprodhues. Ai citon, për shembull, rënien drastike të numrit të spermatozoideve që prej viteve 1950, për shkak të ndotjes kimike dhe mikroplastikës.
Për të zbutur këtë mospërputhje, Shaw propozon rivlerësimin e lidhjes me natyrën dhe ndërtimin e qyteteve më të shëndetshme. “Duhet të kuptojmë se mjediset natyrore janë faktorë thelbësorë për shëndetin tonë. Kemi nevojë të jetojmë në qytete të dizajnuara për trupin dhe trurin tonë, por edhe të mbrojmë hapësirat e egra që na kujtojnë prejardhjen tonë,” thotë ai.
Në fund, Shaw e sheh këtë si një detyrë morale: të përdorim dijen dhe burimet për të rikthyer ekuilibrin mes evolucionit tonë biologjik dhe botës që kemi krijuar.
