LifeStyle

Personaliteti mbi pamjen. Çfarë kërkojmë vërtet në një partner?

Mirësia dhe inteligjenca renditen mbi tërheqjen fizike, sipas sondazheve dhe ekspertëve të psikologjisë. Edhe pse pamja e jashtme ndikon në përshtypjen e parë, studimet tregojnë se nuk është faktori kryesor kur vjen puna te zgjedhja e partnerit për një marrëdhënie serioze.

Sipas sondazheve mbi preferencat në çift, tërheqja fizike renditet në mes të listës së cilësive të dëshiruara. Ndërsa arritjet materiale, si siguria financiare apo posedimi i një shtëpie të bukur, konsiderohen ndër më pak të rëndësishmet.

Në krye të listës qëndrojnë tipare si mirësia, mirëkuptimi, ekstroversioni dhe inteligjenca cilësi që vlerësohen si nga burrat ashtu edhe nga gratë, në marrëdhënie heteroseksuale dhe homoseksuale.

Greg Webster, profesor i psikologjisë në Universitetin e Floridës (SHBA), shpjegon se edhe pse njerëzit mund të ndikohen nga “paragjykimi i dëshirueshmërisë sociale”, pra tendenca për të dhënë përgjigje që i paraqesin më mirë në sytë e të tjerëve rezultatet tregojnë qartë se personaliteti ka peshë më të madhe se pamja.

Këtë e mbështesin edhe të dhënat nga aplikacioni i njohjeve “So Syncd”. Sipas bashkëthemelueses Jess Alderson, nga mbi 1 mijë përdorues të anketuar, rreth 90% deklaruan se preferojnë personalitetin mbi pamjen fizike.

Psikologët shpesh përdorin modelin e njohur si “Big Five” (Pesë të Mëdhenjtë), që mat pesë tipare kryesore të personalitetit: hapjen ndaj përvojave të reja, ndërgjegjshmërinë, ekstroversionin, mirëkuptimin dhe neuroticizmin.

Nga këto, mirëkuptimi, që lidhet me kujdesin, dhembshurinë dhe aftësitë ndërpersonale, rezulton të jetë faktori më i fortë në parashikimin e kënaqësisë dhe qëndrueshmërisë së marrëdhënieve. Sipas studiuesve, tërheqja fizike duhet të shoqërohet me këtë tipar për të ndërtuar një lidhje serioze dhe afatgjatë.

“Të jesh një person i mirë është thelbësore për marrëdhënie harmonike afatgjata”, thekson Webster.

Ekspertët vlerësojnë se njerëzit priren të zgjedhin partnerë me vlera dhe tipare të ngjashme me të tyret. Ngjashmëria në ndërgjegjshmëri dhe hapje ndaj përvojave të reja ndihmon çiftet në zgjidhjen e problemeve dhe menaxhimin e jetës së përditshme.

Megjithatë, edhe disa dallime mund të jenë pozitive. Për shembull, nivele të ndryshme ekstroversioni mes partnerëve mund të krijojnë një balancë të shëndetshme dhe të forcojnë dinamikën në çift.

Një tjetër element i analizuar nga studiuesit është dominanca, sociale, fizike apo financiare. Këto cilësi mund të jenë tërheqëse, pasi lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen. Por, sipas ekspertëve, thelbësore është që dominanca të mos drejtohet kundër partnerit, por të shoqërohet me mirëkuptim dhe mbështetje.

Në përfundim, studimet sugjerojnë se mirësia dhe inteligjenca janë investimi më i sigurt në dashuri. Pamja mund të tërheqë vëmendjen, por personaliteti është ai që e mban një marrëdhënie gjallë.

Të Ngjashme