Lajme

Përurohet kompleksi memorial i dëshmorëve dhe martirëve në Marec

Sot është përuruar Kompleksi Memorial i Dëshmorëve dhe Martirëve në fshatin Marec të Prishtinës. Pas 25 vitesh familjarët do te kenë një vend ku do ti kujtojnë më të dashurit e tyre qe dhanë jetën për liri. Familjarët me dhimbje kujtojnë dëshmoret dhe martirët.

Vëllanë nuk pati fatin ta shohë të gjallë asnjëherë

Por me krenari e mban emrin e tij.

Afrim Vitia, e trashëgon emrin e të vëllait që ra dëshmorë 25 vite më parë.

Ai thotë se pavarësisht që lindi pas lufte, ndjehet krenar për të gjithë ata që luftuan për vendin.

“Krenari është se unë pas luftës që kam lindur trashëgoj emrin e vëllait tim dëshmor Afrim Vitia. Po për mua një nder dhe krenari që këto vite pasuese të pasojë një trashëgimi nga familja dhe paraardhësit e mijë”, thotë ai.

Dhimbjen e ka të freskët edhe sot Faik Gërbeshi.

Ani pse kanë kaluar 25 vite nga rënia, mes lotëve kujton momentin kur i është kumtuar lajmi për vdekjen e vëllait.

“Atë ditë kur ka ra në vinë e parë të frontit, atë ditë e kom pas shumë të vështirë por megjithatë bashkëluftëtar ushtarët me kane qetëso kanë stabilizua. Se ai ka qenë më i ri se unë ka qenë i pa martua edhe unë shpesh them ata që kanë ra kanë pas fat se vdekje ma e mirë se me ra dëshmorë për këtë vend për këtë popull për këtë liri që po e gëzojmë e këtë shtet nuk ka”, shprehet Gërbeshi.

Duke treguar kontributin e familjes së tij për çlirimin e atdheut, Gërbeshi thotë se përurimi i Kompleksit Memorial në nderim të Dëshmorëve dhe Martirëve në fshatin Marec të Prishtinës, ishte një obligim i kamotshëm ndaj të rënëve për liri.

“Unë e kom vëllaun këtu dëshmor të kombit, vet jam invalid i luftës komplet familjarisht kemi marrë pjesë në luftë. Jem krenar për ata që e kena bo, sot u realizua një obligim ndaj dëshmorëve. Institucioni i Komunës së Prishtinë që thotë një fjalë popullore më mirë vonë se kurrë pas 25 vitesh mezi u realizua mezi u kry”, thotë Gërbeshi.

Ani pse me vonesë, presioni i vazhdueshëm i familjarëve për ndërtimin e këtij memoriali u shpërblye.

“Ky memorial fatmirësisht ka përfunduar këtë vit se fatkeqësi ka qenë që për 25 vite me radhë ky memorial nga pengesat burokratike nuk është ndërtuar për arsye të cilat i din ish pushtetarët e kaluar. Por më në fund me angazhimin edhe presionin e neve si familjarë këtë vit është bërë ndërtimi i tij”, shprehet Afrim Vitia.

Se ky kompleks memorial shënon një moment të rëndësishëm për historinë e re të Kosovës, e thotë edhe ish-nënkryetar i Prishtinës, Selim Pacolli.

“Është e vështirë të përshkruhet me një fjalë se çka do të thotë ky memorial për këtë vend. Këtu sot pas 25 vitesh sot është përurua ky moment i cili i nderon jo vetëm gjakun e dëshmorëve, të kombit por edhe luftën e ushtrisë çlirimtarë të Kosovës i nderon edhe brezat e mëparshëm të cilët kanë rënë për këtë dhe e për këtë atdhe”, tha Pacolli.

Të pranishëm në përurimin e këtij kompleksi kushtuar dëshmorëve të dielën, ishin bashkëluftëtarë, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të lartë shtetërorë e qytetarë të shumtë.

Kronika e realizuar nga Fëllënza Krasniqi