Lajme

Petkoviq reagon për Kurtin: Pranon marrëveshjet që dëmtojnë serbët, ndërsa i ikën Asociacionit

Kreu i ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se po kërkon zbatimin e Marrëveshjes për Kadastrën të vitit 2011, ndërsa, sipas tij, refuzon zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (ZSO).

Përmes një reagimi, Petkoviq ka pretenduar se Kurti pranon vetëm marrëveshjet që, sipas tij, janë në dëm të serbëve.

Ai ka theksuar se Marrëveshja për Kadastrën e vitit 2011 ishte arritur nga Borko Stefanoviq, të cilin e ka cilësuar si përfaqësues të bllokuesve, ndërsa ka krahasuar qëndrimin e Kurtit ndaj kësaj marrëveshjeje me refuzimin e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin, për të cilën pretendon se është arritur falë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Është e qartë për të gjithë se Kurti pranon vetëm atë që është në dëm të serbëve dhe kjo është arsyeja pse prej 13 vjetësh i shmanget Asociacionit”, ka pretenduar Petkoviq.

Ai ka hedhur poshtë përgjegjësinë e Beogradit për moszbatimin e Marrëveshjes për Kadastrën, duke ia atribuar atë Prishtinës. Sipas tij, autoritetet e Kosovës e kanë zhvlerësuar marrëveshjen me qëllim të, siç ka pretenduar ai, legalizimit të marrjes së paligjshme të pronës serbe.

“Ne nuk do ta lejojmë këtë, pavarësisht dëmit që na ka shkaktuar marrëveshja e Borkos”, ka deklaruar Petkoviq.

Në reagimin e tij, ai ka kritikuar edhe studentët që kanë marrë pjesë në protesta në Serbi, duke pretenduar se ata mbështeten nga Kurti dhe se ardhja e tyre në pushtet do t’i shkaktonte dëme të mëtejshme Serbisë.

Petkoviq ka përfunduar reagimin duke thënë se Beogradi nuk do të lejojë, sipas tij, realizimin e këtyre skenarëve.

Të Ngjashme