Një klip i thjeshtë ka shpërthyer papritur në rrjet: një pinguin i vetëm largohet qetësisht nga kolonia e tij dhe nis të ecë drejt maleve të Antarktidës. Pamjet janë të vjetra gati 20 vjet, por rikthimi i tyre në 2026, i shoqëruar me muzikë të zymtë dhe mbishkrime ekzistenciale, e ka kthyer pinguinin në personazhin më të papritur të sezonit. Interneti e pagëzoi: “Pinguini Nihilist”.
Në video, pinguini ecën me një qetësi të frikshme, si dikush që s’po ikën me nxitim, por me vendosmëri. Dhe pikërisht kjo e bën kaq hipnotizuese: nuk ka panik, nuk ka ndalesë, vetëm një “marshim” i ngadaltë drejt një drejtimi ku, logjikisht, nuk ka as ushqim, as mbijetesë.
Pamjet vijnë nga dokumentari i Werner Herzog “Encounters at the End of the World” (2007), që pasqyron udhëtimin e tij në Antarktidë dhe njerëzit që takon atje. Në një nga skenat më të forta, shihet një pinguin Adelie që largohet nga grupi dhe shkon rreth 70 kilometra në brendësi të kontinentit, larg detit dhe burimit të ushqimit. Një sjellje e rrallë, sepse pinguinët zakonisht qëndrojnë pranë bregut dhe afër kolonisë. Narracioni i Herzog e trajton këtë si një “marshim drejt vdekjes”, duke lënë të kuptohet se rruga e tij vështirë se mund të ketë kthim.
Rikthimi viral nuk erdhi vetëm nga klipi. Njerëzit e veshën me kuptime. E montuan me muzikë të errët. I vendosën fjali që tingëllojnë si ditar lodhjeje, si një “po iki nga gjithçka” pa britmë. Dhe memi u bë një pasqyrë e kohës: burnout, kriza kuptimi, rebelim i heshtur, “quiet quitting”, një lloj braktisjeje elegante e pritshmërive.
Trendi u përfol edhe më shumë pasi, sipas artikullit, Shtëpia e Bardhë publikoi një imazh të gjeneruar me AI ku Presidenti Donald Trump shfaqej duke ecur krah pinguinit drejt Groenlandës, me mbishkrimin “Embrace the Penguin”. Reagimi i rrjetit ishte i menjëhershëm, me ironi të pafundme, edhe sepse Groenlanda nuk është habitat i pinguinëve: ata jetojnë në Hemisferën Jugore, kryesisht në Antarktidë, ndërsa Groenlanda është në Hemisferën Veriore.
Po pse na ngjitet kaq shumë ky pinguin?
Sepse është i lexueshëm në çdo gjendje shpirtërore. Mund ta shohësh si një figurë tragjike, që ecën drejt fundit. Mund ta shohësh si rebel, që s’do më të ndjekë turmën. Mund ta shohësh si “unë kur lodhem nga rutina” ose “unë kur e mbyll laptopin dhe s’dua të dëgjoj më asgjë”. Është edhe qesharake, sepse ne i veshim një kafshe një dramë njerëzore, por njëkohësisht është edhe e frikshme sa saktë na del metafora.
Megjithatë, përtej poezisë së internetit, shkenca e sheh ndryshe. Pinguini nuk po bën filozofinë e jetës. Nuk ka krizë identiteti. Shpjegimi më i ftohtë (dhe më i dhimbshëm) është se mund të jetë një gabim orientimi i lidhur me sëmundje, lëndim ose probleme fiziologjike që e çorientojnë kafshën dhe e shtyjnë të marrë drejtimin e gabuar, drejt brendësisë, ku e pret uria, rraskapitja dhe i ftohti. Edhe sikur të kthehej mbrapsht, thuhet se mund ta përsëriste të njëjtën sjellje.
