Lajme

Piraj: Qeveria duhej të konsultohej me bizneset për heqjen e masës ndaj mallrave serbe

Udhëheqësi i grupit “Besa Besë”, Burim Piraj, mendon se Qeveria e Kosovës do të duhej të ishte konsultuar me kompanitë vendore para se të merrte vendimin për heqjen e ndalesës ndaj produkteve serbe.

Piraj, në emisionin “Këndi i Debatit”, ka thënë se ekonomia vendore ka pasur një fuqizim të dukshëm pas fillimit të fushatës për bojkotim të prodhimeve nga Serbia më 24 shtator 2021.

“Do të kishte qenë mirë që Qeveria e Kosovës para heqjes së ndalesës që e ka bërë të ishte konsultuar me kompanitë vendore. Nga ana tjetër prej se e kemi filluar fushatën për bojkot të prodhimeve serbe me 24 shtator 2021, kemi arritur që ta kemi një konsideratë më të madhe për prodhimin vendor, kemi arritur që në raftet ku janë vendosur produktet serbe të vendosen produktet vendore, pra ka pasur një kthim të madh në ekonominë vendore që nuk mohohet se është i dukshëm”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor nga Qeveria e Kosovës, atë ditë kur ishin rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Ndërsa, të hënën Ministria e Punëve të Brendshme ndryshoi masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdarë.