Shëndetësi

Pirja e marijuanës dyfishon rrezikun e një ataku kardiak dhe goditjes në tru

Përdorimi i kanabisit lidhet me një rrezik të shtuar të sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru, sipas një analize të gjerë që përfshin të dhëna nga afërsisht 200 milionë njerëz, të moshës 19 deri në 59 vjeç.

Rezultatet janë publikuar në revistën prestigjioze Heart dhe përfshijnë studime të kryera në SHBA, Kanada, Australi, Francë, Suedi dhe Egjipt midis viteve 2016 dhe 2023.

Sipas autores kryesore të studimit, Dr. Emilie Jouanjus, profesoreshë e farmakologjisë në Universitetin e Tuluzës, gjetja më shqetësuese ishte se shumë nga pacientët e shtruar për probleme kardiovaskulare ishin të rinj, pa histori të mëparshme sëmundjesh të zemrës dhe pa faktorë të njohur rreziku. Kjo nënkupton se ndikimi nuk mund t’i atribuohet përdorimit të duhanit apo faktorëve të tjerë klasikë.

Sipas analizës, përdoruesit e marijuanës kanë një rrezik 29% më të lartë për infarkt dhe 20% më të lartë për goditje në tru, krahasuar me personat që nuk e përdorin.

Dr. Lynn Silver, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin e Kalifornisë dhe autore e një editoriali shoqërues, tha se ky është një nga studimet më gjithëpërfshirëse deri më tani mbi lidhjen mes kanabisit dhe sëmundjeve të zemrës, duke theksuar se perceptimi publik mbi kanabisin si i padëmshëm është i gabuar.

Ajo thekson se profesionistët e shëndetit duhet të pyesin pacientët për përdorimin e kanabisit dhe t’i informojnë për rreziqet potenciale në mënyrë të ngjashme me edukimin mbi duhanin. Syri.net-iefimerida

Të Ngjashme