Një person është plagosur mbrëmjen e së hënës në Skenderaj, pas të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur në rrugën “28 Nëntori”.
Sipas policisë, rasti është raportuar rreth orës 21:04, ndërsa i plagosuri është dërguar menjëherë në spital për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 21:04, Policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘28 Nëntori’, në Skenderaj. Sipas të dhënave fillestare, një person i moshës madhore ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit dhe është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja, ndërsa njësitet përkatëse policore janë duke zhvilluar hetime për identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, deklaroi zëdhënësi i policisë, Avni Zahiti.
Ndërkohë, lidhur me gjendjen shëndetësore të të plagosurit ka folur edhe zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Shpend Fazliu.
“Në ora 21:37, në Spitalin e Përgjithshëm ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, në Shërbimin Emergjent, është sjellë një rast i plagosjes nga Skenderaj, 44-vjeçar. Aktualisht, me parametra stabil, jashtë rrezikut për jetë, po vazhdojnë ekzaminimet radiologjike dhe trajtimi mjekësor”, deklaroi Fazliu.
Sipas tij, pacienti po mbahet nën kujdesin e mjekëve derisa po kryhen ekzaminimet e nevojshme dhe trajtimi përkatës mjekësor.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.
