Dalin detaje të reja nga hetimet për atentatin e ndodhur pak ditë më parë në Elbasan, ku tre persona mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri. Bëhet fjalë për Armando Tomorricën, Renaldo Mancen dhe 19-vjeçarin Biorgi Hoxha, i cili punonte si kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, dyshimet janë se objektivi i vërtetë i atentatit ishte nipi i Kastriot Kilës, i njohur në Elbasan me nofkën “Ot Kila”.
Hetimet paraprake kanë nxjerrë në pah edhe mënyrën se si dyshohet se ka vepruar autori për të shmangur identifikimin. Sipas të njëjtave burime, ai besohet se ka përdorur një maskë silikoni dhe një paruke me flokë të gjatë, me qëllim fshehjen e tipareve të fytyrës.
Po ashtu, autori dyshohet se ishte i veshur tërësisht me rroba të errëta dhe mbante doreza, elementë që, sipas hetuesve, tregojnë se sulmi mund të ketë qenë i planifikuar me kujdes për të mos lënë gjurmë.
Emri i Kastriot “Ot” Kilës është përmendur edhe më herët në dosje hetimore, ku ai është konsideruar si rival i figurave të njohura të botës së krimit në Elbasan, mes tyre edhe Suel Çela.
Sipas materialeve hetimore të viteve të kaluara dhe dëshmive të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Suel Çela dyshohet se kishte porositur në vitin 2022 eliminimin e Elton Kilës, një atentat që nuk u realizua pasi Nuredin Dumani u plagos në Cërrik. Pikërisht ajo ngjarje çoi më pas në arrestimin e Dumanit dhe kthimin e tij në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Ndërkohë, hetimet për atentatin e fundit në Elbasan vijojnë, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si edhe për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të sulmit.
