Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të dyshuar për përfshirje në një grup kriminal të organizuar që kishte planifikuar kryerjen e një vrasjeje të rëndë dhe sulme të armatosura ndaj bizneseve.
Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të pandehurit me inicialet A.H., D.R., D.M., F.Q., Sh.K. dhe R.B. ngarkohen për veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Veprimet përgatitore për vrasjen e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë periudhës dhjetor 2024 – shkurt 2025, të akuzuarit, duke vepruar si grup kriminal i organizuar, kishin planifikuar dhe ndërmarrë veprime për vrasjen e një personi. Gjithashtu, ata dyshohen se kishin planifikuar sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese ndaj bizneseve të lidhura me të dëmtuarit, me synim shkaktimin e dëmeve materiale, frikësimin e viktimave dhe demonstrimin e fuqisë së grupit kriminal.
Sipas aktakuzës, secili prej të pandehurve kishte rol të caktuar në zbatimin e planit kriminal, i cili u parandalua falë veprimeve hetimore të autoriteteve.
Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale.
