Lajme

Plas sherri në burgun grek/ Gjashtë persona mbeten të lënduar, mes tyre edhe shqiptarë

Në një përleshje mes të burgosurve shqiptarë dhe algjerianë në burgun e Domokosit, në prefekturën Ftiotis, në pjesën qendrore të Greqisë, u plagosën 6 persona, njëri prej tyre rëndë.

Sipas raportimeve të mediave lokale, pasditen e djeshme shpërtheu një përleshje mes të burgosurve shqiptarë dhe algjerianë në burgun e Domokosit, për arsye që ende nuk dihet.

Gjashtë personat e plagosur, të moshave nga 26 deri në 41-vjeç, u dërguan në Qendrën Shëndetësore të Domokosit. Më pas, 4 prej tyre u transferuan në Spitalin e Lamias, në qendër të prefekturës.

Një prej të burgosurve, i cili kishte pësuar plagë të rënda në kokë, iu nënshtrua menjëherë një operacioni. Gjendja e tij shëndetësore mbetet e rëndë, ndërsa një tjetër i burgosur, i plagosur me një thikë të improvizuar, e ka kaluar rrezikun për jetën pas ndërhyrjes mjekësore.Në të njëjtin burg, gjatë një muaji e gjysmë të fundit, është shënuar për të tretën herë një incident i ngjashëm. Edhe në përleshjen e ndodhur rreth 15 ditë më parë, u plagosën 5 persona.

Të Ngjashme