ShowBizzz

Pluhur në çizmes e Dua Lipes, turistë të pa larë, shtet pa dinjitet

Kishin mbet turistat pa la. Jo se deshën me i ndjek hapat e ndonjë trendi të ri ekologjik, por se s’ka ujë në Prishtinë! Në vitin 2025, në kryeqytetin e një shteti që pretendon me qenë metropolitan, s’ka ujë. Ka festival, ka Dua Lipë, don imazh, por s’ka rrjedhje, as nga çezmja, as nga logjika.

Pluhuri i Bërnicës ia kish ndrru ngjyrën çizmeve të Duas. Dhe kjo, më shumë se metaforë, është diagnozë. Çizmet e Dua Lipes që vijnë nga tapetat e kuqe të Grammy-t në arat e një realiteti të trashë, mbuluar me zhgënjim e sahanë të zbrazët.

Kjo çikë e jashtëzakonshme vjen prej një vendi ku njeriu nuk e lan dot as fytyrën.

Dua po mundohet me e kriju një imazh për Kosovën dhe s’mund t’i thuash gjë. E don vendin e vet më shumë se ata që e udhëheqin. Por a mund të ndërtohet imazh mbi një vend pa infrastrukturë, pa ujë e me drita që ndërrojnë më shpesh se semaforët?

A mundet imazhi me e mbulu mungesën e themelit?

Jo, s’mundet.

Sepse festivali nuk e zgjidh krizën. Ai vetëm ia ngjit një filtër Instagram-i një realiteti që është, në thelb, i pashëruar. Ndërsa Kosova zhytet në vitin 2025 si një fshat i madh me kravatë, ku s’ka rrymë për kamera, as ujë për dush, por ka panele diskutimi për “digital transformation”.

Ku je o shtet?
Nëse nuk ke ujë e rrymë, çfarë shteti je?

Dua don me e ndriçu Kosovën, por Kosova s’po e ndriçon vetën. Se ata që duhet me e ndez dritën, me e rregullu çështjen e ujit, me bo diçka më shumë, janë sot në Londër, në Berlin, në Dubai ose rrinë në villa e zyre me kondicioner, duke planifiku (kishe) planet pesëvjeçare për furnizim me ujë, ndërkohë që qytetari bënë dush me shishe plastike.

Në këtë tokë të shkretë, edhe festivali tingëllon si përpjekje për me e fsheh shëmtinë me pak muzikë. Por s’mund të këndosh kur populli është me zë të mbytur, të shtjerrt!

Në fund të fundit, nuk jetohet as me imazh, as me koncert.
Jetohet me dinjitet.
Dhe në Prishtinën e këtij gushti, dinjiteti është në mungesë, si uji.
Nderim Neziri





ks