Një zyrtar i Doganës së Kosovës është kërcënuar të hënën gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ka bërë të ditur Dogana përmes një njoftimi.
Sipas këtij institucioni, kërcënimi ka ndodhur nga një përfaqësues i një subjekti të madh që operon në tregtimin me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës, në momentin kur zyrtarët doganorë po kryenin verifikime për një kontingjent të caktuar.
Dogana ka sqaruar se gjatë kontrollit janë evidentuar elemente të dyshimta në dokumentacion, përfshirë parametrat e transaksionit dhe vlerën që shërben si bazë për përllogaritjen e detyrimeve doganore.
Në reagimin zyrtar, Dogana e Kosovës e ka dënuar ashpër këtë veprim, duke theksuar se çdo tentativë për të penguar zyrtarët në kryerjen e detyrës është e papranueshme.
“Çdo përpjekje për të frikësuar, penguar apo ndikuar në zyrtarët doganorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit ligjor, autoritetit të shtetit dhe funksionimit të institucioneve publike. Kërcënime të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe nuk do të tolerohen në asnjë rrethanë”, thuhet në reagim.
Dogana ka bërë të ditur se do të vazhdojë të zbatojë ligjin dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar integritetin e procedurave dhe sigurinë e zyrtarëve të saj.
