Ishte 16 vjeç kur kapi pushkën për herë të parë.
E emocionet asokohe i kishte të papërshkrueshme.
Por mbi gjithçka, dashuria për atdheun ishte motivi qe e shtyu atë t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të qenurit pjesë e UÇK-së, për Mimozën, është ndjesi që nuk përsëritet më.
“Është ndjenjë e papërshkruar, të them të drejtën. E di që edhe po t’i kem tri jeta nuk do të kam atë ndjesi që e kam pasur në luftë. Përkundër faktit që të gjithë kanë qenë në luftë edhe popullata civile, unë po e ritheksoj se ne që kemi qenë në uniform, jemi ndjerë tepër të lirë. Vdekjen e kemi pasur me vete, e kemi pasur mbi kokë, mirëpo ka qenë një ndjenkë krenarie dhe siguri e jashtëzakonshme”, tregoi ish-ushtarja e UÇK-së, Mimoza Shala.
Por si erdhi deri te momenti që t’i bashkohet UÇK-së?
“Të jesh qytetare e komunës së Gjakovës nuk është zor me tu mbush mendja për diçka kombëtare. Është qytet që ka treguar gjithmonë gatishmëri për çështje kombëtare, kështu që organizimi te ne ka ndodhur në shkolla, jemi qyteti i vetëm që kemi zhvilluar luftë edhe brenda qytetit e kemi pasur edhe brigadën tonë. Po para se me ndodh lufta e me u formua brigada, ne të gjithë kemi qenë nëpër fshatra, brigada ku unë jam bashkangjitur në qytetin tim ka qenë brigada e tretë”, tha ajo.
Angazhimi i saj në shërbim të vendit, nuk mbaroi me aq.
Shala tani i kontribuon popullit përmes karriges së deputetes.
Derisa për 12 vite, ishte asambliste në komunën e Gjakovës.
“Është vazhdimësi e përfaqësimit të qytetarëve, mirëpo sigurisht që ndjenja është më e mirë për faktin se zëri dëgjohet më shumë. Është nder, krenari e privilegj me qenë, mirëpo më shumë e shoh si përgjegjësi sepse detyrat duhet me u kry, obligimet duhet me u kry, për këtë jam këtu. Konsideroj se është shumë e rëndësishme që njerëzit të cilët janë dëshmuar, të jenë edhe sot të rreshtuar në mbrojtjen e sigurisë, paqes dhe shtetit tonë”.
Shala, nën petkun e ushtares, ishte pjesëtare e brigadave 131 “Jusuf Gërvalla”, 134 “Bedri Shala” dhe 137 “Gjakova”.
