Publikimi i një lidhjeje është një hap i madh dhe caktimi i kohës së duhur për ta ndarë me të tjerët shpesh krijon një lloj presioni. Pengesa më e madhe, megjithatë, është kur një person nuk dëshiron të marrë këtë hap, fenomen i cili quhet “pocketing” ose “fshehje në xhep”.
Nëse jeni ndjerë sikur një tendencë e re në takime shfaqet çdo javë, nuk jeni vetëm, por gjithsesi ne jemi këtu për tjua shpjeguar.
Çfarë është “pocketing”?
“Pocketing” është kur personi me të cilin jeni duke u takuar nuk dëshiron t’ju prezantojë me miqtë dhe familjen e tij apo të postojë për ju në rrjetet sociale. Mund të jetë një kombinim i këtyre gjërave, ose një prej të dyjave. Cilado qoftë situata, nuk është ndjesi e mirë për personin që e përjeton.
Shpesh, “pocketing” ndodh sepse personi nuk është i sigurt për ndjenjat e tij ndaj lidhjes apo nuk shikon ndonjë potencial afatgjatë me partnerin. Fatkeqësisht ka edhe arsye të tjera, siç mund të jetë fshehja me qëllim mbajtjen e lidhjeve paralele ose qëllime jo romantike me personin në fjalë.
Si ta kuptoni nëse po ju ndodh “pocketing”?
Mim Kempson, terapiste e marrëdhënieve, thekson rëndësinë e komunikimit për të kuptuar situatën. “Flisni me njëri-tjetrin. Diskutoni për vlerat dhe pikëpamjet tuaja, sidomos rreth përfshirjes dhe kushteve të lidhjes suaj,” sugjeron ajo.
Kjo situatë ndikohet nga faktorë të ndryshëm si pikëpamjet kulturore ose fetare, përvojat e kaluara dhe marrëdhënia që kemi me familjen tonë.
Cila është koha e përshtatshme për prezantimin e partnerëve me familjen dhe miqtë?
Për të përcaktuar kohën më të përshtatshme për të prezantuar partnerin te miqtë dhe familja, ajo që ka rëndësi është qëllimi, transparenca dhe mirëkuptimi i përbashkët. “Keni diskutuar pse është e rëndësishme ose jo të takoni miqtë dhe familjen e njëri-tjetrit? Jeni të qartë për arsyet e prezantimit? A po e bëni prezantimin thjesht sepse është i pashmangshëm apo doni të shihni si përshtateni në jetët e njëri-tjetrit?”, shton Kempson.
Si ndikon “pocketing” në ecurinë e një marrëdhënieje?
“Pocketing” mund të ndikojë negativisht në mënyrën se si një marrëdhënie zhvillohet. Nëse keni disa muaj që takoheni dhe ende nuk keni takuar asnjë mik apo anëtar të familjes së partnerit, është normale të ndiheni të pasigurt. Takimi me njerëzit e afërt të partnerit është i rëndësishëm për ta kuptuar më thellë atë. Njerëzit me të cilët rrethohen mund të zbulojnë shumë për atë që ai pëlqen dhe nuk pëlqen, energjinë që preferon dhe mënyrën se si kalon kohën.
Sipas Mim, “pocketing” bëhet problem kur njerëzit nuk kanë biseda të sinqerta gjatë zhvillimit të marrëdhënies.” Prandaj, mbani mend që komunikimi i hapur dhe i sinqertë është çelësi për të shmangur këtë fenomen dhe për të forcuar marrëdhënien tuaj.