Lajme

Podujeva shpalli gjendje emergjente nga mbeturinat, reagon kompania

Kompania “Natyra SHPK” ka bërë të ditur se është duke vazhduar pa ndërprerje pastrimin e mbeturinave në të gjitha fshatrat e Komunës së Podujevës, duke theksuar se ka trashëguar sasi të mëdha mbeturinash nga operatori paraprak.

Sipas një njoftimi të kompanisë, me vendimin e 24 qershorit 2026 ajo mori në operim 22 fshatra të Podujevës, ndërsa menjëherë nisi ofrimin e shërbimit, lidhjen e kontratave me qytetarët dhe grumbullimin e rregullt të mbeturinave.

Kompania njofton se më 17 korrik ka marrë edhe vendimin e Komunës së Podujevës për grumbullimin e mbeturinave në të gjitha fshatrat e komunës, ndërsa ekipet kanë dalë në terren që nga 18 korriku.

Sipas kompanisë, gjatë marrjes së shërbimit është konstatuar një gjendje e rënduar në shumë fshatra, ku kishin mbetur sasi të mëdha mbeturinash nga operatori i mëparshëm.

“Pavarësisht kësaj gjendjeje, të gjitha ekipet tona janë të angazhuara çdo ditë, me të gjitha kapacitetet dhe pa ndërprerje, në largimin e mbeturinave dhe normalizimin e gjendjes në çdo fshat të Komunës së Podujevës”, thuhet në njoftim.

Kompania thekson se për shkak të sasisë së madhe të mbeturinave nuk është e mundur që i gjithë territori të pastrohet brenda një periudhe të shkurtër, por procesi i pastrimit dhe lidhja e kontratave me qytetarët po vazhdojnë paralelisht.

“Natyra SHPK” ka sqaruar gjithashtu se gjendja emergjente e shpallur sot nga Komuna e Podujevës i referohet qytetit dhe jo zonës ku ajo ofron shërbimin.

Sipas kompanisë, ekipet e saj janë duke punuar çdo ditë në fshatra, pa orar të kufizuar, me qëllim të largimit sa më të shpejtë të mbeturinave dhe normalizimit të shërbimit.

“Natyra” shprehet e përkushtuar që të vazhdojë pastrimin e të gjitha fshatrave dhe t’u ofrojë qytetarëve shërbim të rregullt dhe cilësor.

Sot, Komuna e Podujevës ka shpallur gjendje emergjente për shkak të gjendjes së rënduar me grumbullimin e mbeturinave, si pasojë e mosofrimit të rregullt të shërbimeve nga operatorët përgjegjës.

Vendimi është marrë nga Shtabi Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, të mërkurën, dhe do të jetë në fuqi nga sot deri më 5 nëntor 2026.

Pas kësaj, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A. ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit të Komunës së Podujevës për menaxhimin e mbeturinave, duke vlerësuar se gjendja e krijuar është pasojë e problemeve shumëvjeçare financiare dhe jo e zhvillimeve të fundit.

Në një reagim zyrtar, kompania thekson se Njësia Operative në Podujevë prej vitesh operon me bilanc negativ financiar, pasi tarifa për grumbullimin e mbeturinave ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2008, në vlerën 4.70 euro me TVSH, pavarësisht rritjes së kostove të operimit, karburantit, mirëmbajtjes, pagave dhe shpenzimeve të tjera.

Komuna e Podujevës shpall gjendje emergjente për shkak të gjendjes së rënduar me mbeturina

Të Ngjashme