Bota

Policia belge, kontroll në zyrat e Komisionit Europian

Policia belge ka kryer kontrolle në Komisionin Europian në kuadër të një hetimi mbi parregullsi të mundshme në shitjen e aseteve të pasurive të paluajtshme.

Sipas dy personave në dijeni të operacionit, kontrollet janë zhvilluar të enjten në mëngjes në disa ambiente të Komisionit në Bruksel, përfshirë edhe departamentin e buxhetit.

Hetimi lidhet me shitjen e pronave të BE-së, e cila ka ndodhur gjatë mandatit të mëparshëm të Komisionit, kur Johannes Hahn ishte komisioner për buxhetin. Hahn drejtoi buxhetin 1 trilion euro të Bashkimit Europian deri në vitin 2024. Pas përfundimit të mandatit, ai u emërua i dërguar i posaçëm i BE-së për Qipron.

Sipas burimeve të Financial Times, hetimi po drejtohet nga Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO) dhe ka të bëjë me 23 ndërtesa që u blenë nga fondi sovran belg i investimeve, SFPIM, për 900 milionë euro në vitin 2024. Në atë kohë, Komisioni deklaroi se shitja ishte realizuar përmes një procedure tenderimi në përputhje me rregullat financiare të BE-së.

Zëdhënësja e EPPO-s, Tine Hollevoet, konfirmoi se institucioni po kryen veprime për mbledhjen e provave në kuadër të një hetimi në vazhdim. “Nuk mund të ndajmë asgjë tjetër në këtë fazë, për të mos rrezikuar procedurat dhe rezultatin e tyre”, u shpreh ajo.

Nga ana e tij, një zëdhënës i Komisionit Europian deklaroi se “shitja e ndërtesave ka ndjekur procedurat dhe protokollet e përcaktuara, dhe jemi të bindur se procesi është zhvilluar në përputhje me rregullat”, duke shtuar se ekzekutivi i BE-së “do të bashkëpunojë plotësisht me EPPO-n dhe autoritetet kompetente belge për këtë çështje”.

OLAF, zyra europiane kundër mashtrimit, si edhe policia federale belge, refuzuan të komentojnë. Edhe SFPIM dhe Johannes Hahn nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

/tiranapost

Të Ngjashme