Lajme

Policia e Kosovës kap në kufi arsenal të madh logjistike luftarake

Policia e Kosovës ka njoftuar këtë të dielë se në pikë-kalimin kufitar Kosovë-Serbi në Merdarë është ndaluar një autobus me targa të huaja. Gjatë kontrollit në që policia ka bërë brenda autobuzit është gjetur një valixhe në të cilën ndodheshin disa pajisje të ushtarake.

Brenda valixhes janë gjetur tri thika luftarake, dy radiolidhje, një çantë ushtarake, një jelek taktik, një palë doreza, një helmetë taktike, tri bateria, dy këllëf për revole dhe një imitim i predhës.

Njoftimi i policisë së Kosovës:

“Në valixhen e një pasagjeri autoritete kufitare kanë hasur në disa pajisje të dyshuara ushtarake: tri (3) thika luftarake, dy (2) radiolidhje-motorola, një (1) çantë ushtarake, një (1) jelek taktik, një (1) palë doreza, një (1) helmetë taktike, tri (3) bateria, dy (2) këllëf për revole, një (1) imtim i predhës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.”

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka inicuar rastin “import, eksport, furnizim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuara e armëve”, ndërsa pajisjet e dyshuara ushtarake janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës. Policia e Kosovës ka njoftuar ndër të tjera se i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Aksioni i Policisë së Kosovës ka ardhur vetëm një ditë pas alarmit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili gjatë një konference për mediat të shtunën, ka thënë se organizatori i sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, Millan Radoiçiç aktualisht është duke planifikuar sulme të reja terroriste në Kosovë.

Prej sulmit terrorist në Banjë, para tre muajsh, edhe aktivitetet e Policisë së Kosovës janë shtuar. Policia e Kosovës javët e fundit ka ndërprerë rrjetet e kontrabandës, duke shkatërruar laboratorët e drogës dhe ndaljen e ‘minerave’ ilegale të prodhimit të kriptovalutave dhe konfiskimin e pronave nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo