Lajme

Policia e Kosovës: Nis monitorimi elektronik i trafikut në Maqedoninë e Veriut

Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët kosovarë se, sipas informacioneve zyrtare nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, ka filluar monitorimi i komunikacionit rrugor përmes mekanizmit elektronik të quajtur “Qyteti i sigurt”.

Sipas njoftimit, për automjetet me targa të huaja, përfshirë edhe ato nga Kosova, në rast të kryerjes së shkeljeve të konstatuara nga sistemi “Qyteti i sigurt”, parashihet njoftim gjatë hyrjes ose daljes nga Maqedonia e Veriut.

“Të drejtën për pagesën e pesëdhjetë përqind të gjobës brenda afatit prej tetë ditësh e gëzojnë edhe qytetarët e huaj, ndërsa në rast mospajtimi me shkeljen ose mosrealizimit të pagesës, iniciohet procedurë kundërvajtëse për të huaj para gjykatës kompetente”, thuhet në njoftim.

Përmes këtij sistemi do të evidentohen shkelje si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, kalimi në semafor të kuq, ndalimi dhe parkimi i parregullt, si dhe qarkullimi me automjete të paregjistruara.

Monitorimi realizohet përmes pajisjeve teknike dhe kamerave inteligjente, të cilat evidentojnë automatikisht shkeljet e rregullave të trafikut, në përputhje me legjislacionin përkatës të Maqedonisë së Veriut.

Në fazën e parë, sipas njoftimit ky sistem do të zbatohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10.

Të Ngjashme