Lajme

Policia gjen gjashtë granata dore dhe uniforma të PK-së në një shtëpi të braktisur në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka gjetur gjashtë granata dore dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës gjatë një kontrolli në një shtëpi të braktisur në fshatin Dobroshevina, në Zubin Potok.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 10 shkurt 2026, rreth orës 23:20, kur njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri, gjatë patrullimit, kanë pranuar informacion për mjete të dyshuara ilegale në këtë lokacion.

“Pas kontrollit, Policia ka gjetur dhe ka sekuestruar: 6 granata dore, 1 maicë dhe 2 këmisha të Policisë së Kosovës,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka bërë tërheqjen e granatave në mënyrë të sigurt.

Sipas Policisë, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lidhur me rastin, deri më tani nuk ka persona të arrestuar.

Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar ata që të raportojnë çdo rast të dyshimtë në numrin emergjent 192.

Të Ngjashme