Lajme

Policia: Patrullimet e përbashkëta me KFOR-in forcojnë sigurinë në veri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me zyrtarë të lartë të NATO-s dhe KFOR-it, kanë vizituar të enjten njësitë policore kufitare dhe patrullat e përbashkëta në pjesën veriore të vendit.

Në këtë vizitë morën pjesë edhe drejtori i Departamentit për Kufi, nënkolonel Fehmi Xhata, admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, si dhe gjeneralmajori Roberto Vergori, komandant i KFOR-it.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, vizita kishte për qëllim vlerësimin nga afër të angazhimeve të përbashkëta për mbikëqyrjen e brezit kufitar, përkatësisht vijës së gjelbër dhe vijës së kaltër, si dhe të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet njësive përkatëse.

Gjatë vizitës u vlerësua bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, me theks të veçantë te patrullimet e përbashkëta, shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi në terren për mbikëqyrjen e kufirit dhe forcimin e sigurisë.

Përfaqësuesit e institucioneve theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke e cilësuar atë si kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e një mjedisi të sigurt, garantimin e paqes dhe stabilitetit, si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për përmbushjen e mandatit të saj ligjor dhe forcimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, me synim ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Republikën e Kosovës./teve1.info/

Të Ngjashme