Lajme

Policia sekuestron kokainë dhe heroinë, vlera e tyre mbi 153 mijë euro

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe ka sekuestruar substanca narkotike të llojit heroinë dhe kokainë.

Në rastin e parë ka identifikuar një person shtetas të Maqedonisë Veriore, i cili dyshohej se kishte në posedim të gatshëm për shitje një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë.

“Të dyshuarit të lartcekur me veturë substancën e dyshuar narkotike ia kanë sjellë dy persona tjerë, të cilët janë larguar me veturë nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim të PK-së.

Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës te personi i dyshuar janë gjetur 6 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro).

Lidhur me rastin në cilësi të provave materiale policia ka sekuestruar edhe këto dëshmi tjera materiale:

  • 2 telefon celularë,
  • 1 veturë,
  • 4305 denarë të Maqedonisë Veriore.

Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor.

Ndërkohë, në rastin e dytë, Policia e Kosovës në Ferizaj ka ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të veturës është gjetur një pako e cigareve, në brendi të së cilës ka qenë një qese najloni me substancë të dyshuar si e llojit kokainë.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:

  • 1 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, vlera e substancës së dyshuar narkotike vlerësohet të jetë rreth 3500 euro;
  • para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze.

Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë. /teve1.info/

Tags: