Lajme

Policia zbulon 100 dele pa dokumentacion në Ferizaj, dyshohet për kontrabandë

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në rajonin e Ferizaj, ku është goditur një rrjet i dyshuar për kontrabandë të kafshëve të imta.

Gjatë kontrollit të realizuar të martën në fshatin Rakaj, në pronën e të dyshuarit me inicialet L.K., policia ka gjetur gjithsej 108 dele, prej të cilave 100 rezultonin pa numra matrikuli dhe pa dokumentacion që dëshmon origjinën apo kontrollin veterinar.

Autoritetet kanë kryer kontrolle edhe në dy lokacione të tjera, por sipas inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), aty nuk janë konstatuar shkelje ligjore.

Sipas policisë, për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka rekomanduar inicimin e procedurës për “kundërvajtje doganore”.

Rasti më pas i është përcjellë Doganës së Kosovës në Han të Elezit për trajtim dhe procedim të mëtejmë./teve1.info/

Të Ngjashme