Presidenti i Republikës, Bajram Begaj me rastin e mesazhit për vitin e ri, tha midis të tjerash se aspirata kryesore për vitin në vijim mbetet shteti i konsoliduar i së drejtës, drejtësi e gjithëpranishme sociale dhe reduktim i polarizimit në shoqëri, politikë dhe ekonomi.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit tha se gjatë vitit që lamë pas, roli ndërkombëtar i Shqipërisë u konsolidua.
Fjala e plotë:
Afrimi i vitit të ri përbën një moment të veçantë për të gjithë ne. Është festë e shprehjes së ngrohtësisë familjare e shoqërore rreth tavolinave të mbushura me dashuri. Është festë e mirëseardhjes dhe e shpresës për të ardhmen, festë që nuk na ndan, por na afron më pranë njëri -tjetrit. Kjo është festa e të gjithëve. Dëshiroj të ndaj me ju disa reflektime mbi rrugëtimin tonë të përbashkët dhe aspiratat për ardhmen.
Viti që lëmë pas pati zhvillime pozitive. Këtu veçoj forcimin e pozitës tonë ndërkombëtare dhe rritjen e reputacionit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë.
Treguam se ndonëse vend i vogël, i kemi të gjitha mundësitë të jemi faktor në rajon dhe kontribues për paqen në botë. Megjithatë, rritja e rolit tonë në arenën ndërkombëtare dhe përmirësimi i imazhit të Shqipërisë, nuk mund të kuptohen pa politika të mira brenda vendit. Këtë vit, miliona turistë vizituan vendin tonë. Në Shqipëri ata gjetën jo vetëm bukuritë e natyrës, por edhe mikpritjen tradicionale të shqiptarëve. Gjithashtu, vijuam angazhimin tonë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Jemi të vetëdijshëm se procesi nuk është vetëm një ushtrim i thjeshtë administrativ, por transformim i thellë institucional dhe shoqëror. Sistemi i drejtësisë, i ka të gjitha mundësitë të jetë mishërues i këtij transformimi. Beteja për shtetin e së drejtës nuk është as e përfunduar as e fituar.
Ne kemi ende shumë rrugë për të bërë që shteti ynë të jetë i drejtë dhe transparent. Ndërsa një rrugë më e gjatë është ajo drejt drejtësisë sociale.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo