Lajme

Posta e Kosovës paralajmëron qytetarët për mashtrime me SMS: Mos ndani të dhëna personale

Posta e Kosovës ka lëshuar një njoftim të rëndësishëm për publikun, duke paralajmëruar qytetarët që të mos bien pre e një mashtrimi që po qarkullon përmes SMS-ve.

Sipas Postës së Kosovës, palë të panjohura po dërgojnë mesazhe telefonike, duke u paraqitur në emër të institucionit, me qëllim përfitimi të paligjshëm.

“Menjëherë pasi kemi marrë informata për këtë mashtrim, kemi njoftuar organet kompetente dhe po bashkëpunojmë ngushtë me to për të ndaluar këtë aktivitet të paligjshëm,” thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.

Institucioni thekson se komunikimi i tij zyrtar bëhet vetëm përmes kanaleve të verifikuara, duke përfshirë web-faqen zyrtare dhe platformat në rrjetet sociale si Facebook, Instagram dhe LinkedIn.

Numrat e kontaktit gjithashtu janë të publikuar zyrtarisht.

“Ju lutemi mos klikoni në asnjë link që mund të merrni përmes këtyre mesazheve dhe mos bashkëpunoni me numra të paidentifikuar që nuk janë zyrtarë të Postës së Kosovës. Në asnjë rast nuk do t’ju kërkojmë të dhëna personale apo numra të kartelave bankare,” paralajmëron Posta.

Posta e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për të mbrojtur qytetarët dhe ka njoftuar se po bashkëpunon me autoritetet përkatëse për të ndjekur keqbërësit pas këtij incidenti.

Institucioni gjithashtu bëri të ditur se posta të tjera në rajon janë përballur me sulme të ngjashme nga mashtrues të panjohur.