19
Postmenopauza është një term për të përshkruar kohën pas kalimit të menopauzës.
Kur jeni në postmenopauzë, cikli juaj menstrual ka ndaluar për më shumë se 12 muaj rresht.
Në këtë fazë të jetës, vitet e riprodhimit kanë përfunduar dhe nuk jeni më në ovulacion (lëshimi i vezëve).
Simptomat e menopauzës që keni përjetuar, mund të bëhen më të buta ose të zhduken plotësisht.
Megjithatë, disa njerëz vazhdojnë të përjetojnë simptoma të menopauzës për një dekadë ose më gjatë pas menopauzës.
Ka tre faza të menopauzës
Perimenopauza është koha para menopauzës. Gjatë saj ciklet menstruale fillojnë të bëhen të çrregullta. Ju mund të përjetoni disa nga efektet anësore të menopauzës, si afshet e nxehta etj.
Menopauza ndodh kur cikli jua menstual ndërpritet për rreth për 12 muaj rresht. Pas kësaj ju hyni në postmenopauzë.
Postmenopauza është koha pas menopauzës, e cila zgjat për të gjithë pjesën tjetër të jetës tuaj. Njerëzit në postmenopauzë janë në një rrezik të shtuar për disa sëmundje shëndetësore si osteoporoza dhe sëmundjet e zemrës. Ndaj duhet të tregohen më të kujdesshëm për shëndetin.
Sa zgjat postmenopauza?
Pasi të hyni në postmenopauzë, nivelet e hormoneve tuaja do të mbeten të ulëta dhe nuk do të keni më perioda mujore. Ju nuk mund të mbeteni shtatzënë sepse vezoret kanë ndaluar lëshimin e vezëve.
Çfarë ndryshimesh hormonale ndodhin pas menopauzës?
Vezoret tuaja prodhojnë shumë pak estrogjen dhe progesteron deri në kohën kur jeni në postmenopauzë. Disa njerëz ende përjetojnë efekte anësore nga nivelet e ulëta të hormoneve.
Në çfarë moshe konsiderohet postmenopuzë?
Nuk ka një moshë në të cilën jeni automatikisht në postmenopauzë. Pasi menstruacionet ju mungojnë për më shumë se një vit, ju jeni tashmë në postmenopauzë pavarësisht nga mosha. Mesatarisht, njerëzit kalojnë në menopauzë rreth moshës 51 vjeç.
Cilat janë simptomat?
Simptomat janë më pak intensive sesa në menopauzë. Në disa raste, ato pothuajse zhduken. Simptomat e vazhdueshme shkaktohen nga nivelet e ulëta të hormoneve riprodhuese.
Disa simptoma mund të jenë:
Afshe të nxehta dhe djersitje gjatë natës
Depresion
Pagjumësi
Lëkurë e thatë
Ndryshime në peshë
Rënia e flokëve
Probleme me urinimin
Nëse simptomat tuaja bëhen më intensive ose ndërhyjnë në jetën tuaj të përditshme, bisedoni me mjekun tuaj.
Çfarë e shkakton gjakderdhjen pas menopauzës?
Gjakderdhja gjatë postmenopauzës nuk është një efekt anësor normal i uljes së niveleve të hormoneve. Në disa raste, nuk përbën ndonjë problem madhor, por në raste të tjera mund të tregojë një infeksion apo sëmundje më të rëndë shëndetsore. Prandaj këshillohet që të kryeni një vizitë gjinekologjike.
A ndalen afshet pas menopauzës?
Disa njerëz vazhdojnë të përjetojnë afshe të nxehta pas menopauzës, që shkaktohen nga ulja e niveleve të estrogjenit dhe kjo nuk është e pazakontë. Por nëse janë shqetësuese ose intensifikohen, flisni me mjekun tuaj për të përjashtuar shkaqe të tjera. /AgroWeb
ks