Konsulenti politik, Xhevdet Pozhari ka komentuar zhvillimet e fundit politike pas votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe debatit për buxhetin e vitit 2026, duke theksuar se qëndrimet e partive opozitare mund të paralajmërojnë situatë të tensionuar para zgjedhjes së presidentes.
Sipas tij, reagimi i opozitës pas votimit të marrëveshjeve nuk është për t’u gjykuar, por qasja e fundit e LDK-së dhe PDK-së tregon për sfidat që mund të pasojnë në procesin e zgjedhjes së presidentes brenda dy javësh.
“Pas votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, opozitën nuk e gjykoj pse ajo tashmë ‘hatërohet’ për shkak të amendamenteve. Mirëpo, tashmë kjo qasje që e patë LDK-ja e PDK-ja tregon shumë për atë që është duke na pritur pas dy jave për zgjedhjen e presidentes”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Krahas kësaj, Pozhari thotë se LDK-ja tashmë veçse ka nisur me deklarime se pa “marrëveshje politike” nuk qëndrojnë as në sallën e Kuvendit.
“Nëse LDK-ja ka nis me deklarata se pa marrëveshje politike ne nuk qëndrojmë në sallë, duhet me na sqaru se çfarë nënkupton me marrëveshje politike. A janë duke e lutur tash LVV-në me i marrë në qeveri? Këta edhe lypës edhe krenarë. Thonë që duam marrëveshje politike, por nuk e sqarojnë se çfarë nënkupton ajo marrëveshje politike?”, thotë ai.
Pozhari komentoi edhe qëndrimin e PDK-së, e cila ka deklaruar se nuk do ta votojë për presidente Vjosa Osmani. Sipas tij, mbetet të shihet nëse do të ketë një kandidat tjetër, ndoshta jashtë politikës, që mund të jetë i pranueshëm për të gjitha partitë. /teve1.info/
