Konsulenti politik, Xhevdet Pozhari, ka vlerësuar se kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për presidente, Vjosa Osmani, nuk duhet ta përmendë aq shpesh ish-presidentin dhe ish-kryetarin e LDK-së, Ibrahim Rugova.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Pozhari ka thënë se Osmani po e thekson figurën e Rugovës më shumë sesa programin e saj politik.
“Osmani arriti ta përmendë figurën e Rugovës më shpesh sesa programin. Nuk po them që nuk duhet përmendur, por mos u bëj aq rugoviste kur nuk e ke asnjë fotografi me Rugovën, kur je shumë e vonshme në LDK dhe ka shumë të tjerë para saj që e dinë më mirë rrugën e tij”, ka deklaruar Pozhari.
Ai ka shtuar se sot nuk është koha që partitë politike të mbështeten vazhdimisht në figurat apo periudhat e së kaluarës.
“Nuk është koha sot që LDK-ja të thirret në një kohë që ka qenë shumë e rëndësishme, apo që PDK-ja, në anën tjetër, të kthehet te UÇK-ja”, është shprehur ai.
Pozhari ka komentuar edhe raportin politik mes Osmanit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se nuk është e drejtë të akuzohen ish-bashkëpunëtorët pas përfundimit të një rrugëtimi të përbashkët politik.
“Kur një rrugëtim së bashku përfundon, nuk është mirë ta akuzosh dikë vetëm pse nuk të kanë dalë hesapet ashtu siç i ke pritur. Në momentin kur Osmani nuk e arriti ambicien të jetë edhe një herë presidente, doli menjëherë në mëngjes dhe e shpërndau Parlamentin”, ka përfunduar Pozhari./teve1.info/
