Lajme

PRAK kërkon zbatim të plotë në praktikë të Ligji për sigurimet shëndetësore

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka përshëndetur miratimin e ligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm drejt reformimit të sistemit shëndetësor në vend.

Në një reagim publik, PRAK vlerëson se ky ligj krijon bazën për ndërtimin e një mekanizmi më të qëndrueshëm të financimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, duke synuar përmirësimin e qasjes dhe mbulimit shëndetësor.

Megjithatë, PRAK thekson se sfidat mbeten të shumta dhe kërkojnë angazhim të shtuar institucional në fazat e ardhshme. Sipas PRAK-ut, një ndër prioritetet kryesore është miratimi dhe zbatimi i akteve nënligjore, të cilat do të mundësojnë funksionalizimin praktik të ligjit.

Po ashtu, organizata kërkon forcimin e kapaciteteve të Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, si dhe rritjen e mbulimit shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që do të ofrohen për qytetarët në kuadër të këtij sistemi.

“Rruga përpara është e gjatë dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm nga institucionet përgjegjëse,” thuhet në reagimin e PRAK-ut.

Të Ngjashme