Lajme

Presidenca e Kosovës paralajmëron padi në Gjermani ndaj gazetarit Michael Martens

Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj raportimit të gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ku pretendohet se presidentja Vjosa Osmani po përpiqet të sigurojë një mandat të dytë përmes, siç thuhet, “afërsisë demonstrative” me familjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Artikulli i FAZ, i publikuar sot dhe me autor gazetarin Michael Martens, përmend përfshirjen e Kosovës në nismën globale të Trumpit të quajtur “Bordi i Paqes”, duke pretenduar se ky veprim është ndërmarrë pa konsultim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Këshilltari i presidentes, Rinor Nuhiu, ka hedhur poshtë kategorikisht raportimin e FAZ, duke e cilësuar atë si shpifës dhe të rrezikshëm.

“Shpifja dhe fyerja, akuzat e pabazuara dhe pretendimet e provueshme si të rreme nga Michael Martens (i njohur edhe si Andric1961) i nënshtrohen përgjegjësisë civile dhe penale sipas ligjit gjerman,” ka shkruar Nuhiu.

Ai ka shtuar se presidentja Osmani tashmë po konsultohet me avokatë në Gjermani për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë.

“Presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e tij shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformatave. Presidentja po konsultohet me avokatë në Gjermani me qëllim përdorimin e të gjitha mjeteve juridike për të mbrojtur integritetin e institucionit dhe të vendit që ajo drejton,” thuhet më tej në reagim.

Në artikullin e tij, gazetari Michael Martens shkruan se presidentja Osmani po përpiqet të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”, me qëllim sigurimin e mbështetjes për rizgjedhje, në mungesë – sipas tij – të përkrahjes së mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës.

FAZ pretendon se Osmani nuk e ka shumicën parlamentare të nevojshme për një mandat të dytë dhe se për këtë arsye po tenton të kompensojë mungesën e mbështetjes së brendshme me ndikim ndërkombëtar, veçanërisht nga SHBA-të.

“Si zëvendësim për mungesën e mbështetjes së brendshme, Osmani prej javësh po përpiqet të paraqitet si ‘kandidatja e Trumpit’,” citohet të ketë thënë një burim i paidentifikuar në Prishtinë për gazetën gjermane.

Artikulli gjithashtu pretendon se nuk ka qenë qeveria e Kosovës ajo që i ka hapur rrugë Osmanit drejt rrethit të Trumpit, por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes lidhjeve të tij me familjen Trump, konkretisht përmes dhëndrit të ish-presidentit amerikan, Jared Kushner.

Sipas FAZ, ky kalkulim politik i presidentes Osmani “mund të dështojë”.

 

Të Ngjashme