Lajme

Presidenca me staf të ri, Haxhiu zëvendëson Osmanin

Po e shënon ditën e fundit si presidente e Republikës.

Vjosa Osmani, këtë të shtunë përmbylli mandatin pesëvjeçar, si e para e shtetit.

Ashtu siç e do rendi, Osmani këtë pozitë ia dorëzoi kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut, meqë vendi nuk arriti të ketë president të zgjedhur.

Për gjysmë dekade angazhim në krye të shtetit, Osmani u shpreh e lumtur që këtë pozitë tani po e dorëzon tek një grua.

“Gjithmonë kam dashur që kur të dal nga kjo zyrë ta lë një grua. Unë ju dëshiroj shumë suksese përgjatë kohës sa ju do të jeni ushtruese e detyrës. Nuk do të jetë punë e lehtë, sepse edhe unë i kam provuar të dyja. Sado që të dyja kanë sfidat e veta, të jesh kreu i shtetit dhe ta udhëheqësh politikën e jashtme të vendit janë përgjegjësi të jashtëzakonshme, për të cilat ju urojmë shumë sukses”, deklaroi presidentja në largim, Vjosa Osmani.

Ani pse zyrën e liroi sot, ndihmën për shtetin tha se është e gatshme ta ofrojë kurdoherë.

Në anën tjetër, Haxhiu tha se angazhimin do ta bëjë sipas Kushtetutës.

“Për Kosovën është e rëndësishme që të ketë njerëz me integritet të lartë moral dhe profesional, dhe që me çdo vendim ta kenë parasysh qytetarin e Kosovës. Në këtë rast, si Presidente, e kuptoj përgjegjësinë dhe Kushtetutën. Zotohem se do të veproj në bazë të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi”, tha Haxhiu.

Por, ani pse këtë pozitë mund ta ushtrojë deri në 6 muaj, Haxhiu uroi që presidenti të zgjidhet sa më parë.

“Bëj thirrje grupeve parlamentare dhe deputetëve që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e Presidentit. Le t’i lënë anash inatet politike dhe le t’i vazhdojnë ato pasi ta kryejnë këtë obligim kushtetues”, tha ajo.

Në fund, Osmani i dha Haxhiut Kushtetutën si simbolikë të dorëzimit të detyrës.

Biseda vazhdoi e mbyllur për media për më shumë se një orë, ku u diskutua rreth punëve që kanë mbetur në proces.

E krejt në fund, Osmani doli nga objekti i presidencës, duke përshëndetur stafin që qenë rreshtuar për t’i dhënë lamtumirën asaj.

Në shoqërim të gardës ceremoniale, Osmani u përcoll me veturën e presidentit historik Ibrahim Rugova.

Të Ngjashme