Lajme

Presidenca sqaron tenderin për avio-bileta: Kontrata trevjeçare parasheh vetëm udhëtime në klasën ekonomike

Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar lidhur me raportimet e fundit në media për procedurën e prokurimit të shërbimeve të avio-biletave, duke sqaruar se tenderi është zhvilluar në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik.

Përmes një njoftimi publik, Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se ky aktivitet i prokurimit ka qenë i planifikuar paraprakisht dhe i përfshirë në Planin Vjetor të Prokurimit të Presidencës.

Sipas sqarimit, procedura është zhvilluar përmes tenderit të hapur, ndërsa njoftimi është publikuar në platformën e-prokurimi më 27 gusht 2026. Presidenca thekson se kjo mënyrë e prokurimit garanton konkurrencë të lirë, transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar.

Kontrata e paraparë ka kohëzgjatje prej 36 muajsh, përkatësisht tre vjet, ndërsa kriteri i vetëm për dhënien e saj ka qenë çmimi më i ulët, me synimin që të përzgjidhet oferta më e favorshme për institucionin.

Sqarimi i plotë:

Në rrjedhë të raportimeve në media lidhur me procedurën e prokurimit për shërbimet e avio-biletave, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës në funksion të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik, sqaron se procedura e prokurimit për shërbimet e transportit ajror (avio-bileta) është zhvilluar në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.

Ky aktivitet ka qenë i planifikuar paraprakisht dhe i përfshirë në Planin Vjetor të Prokurimit të Presidencës. Procedura është zhvilluar përmes një tenderi të hapur, me njoftimin e publikuar në platformën e-prokurimi më 27.08.2026, duke garantuar konkurrencë të lirë, transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar. Kjo mënyrë e prokurimit përbën praktikë të rregullt dhe të vazhdueshme të institucionit, të zbatuar edhe në vitet paraprake.

Kontrata është paraparë të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh (tre vjet), ndërsa kriteri i vetëm për dhënien e saj ka qenë çmimi më i ulët, me qëllim të përzgjedhjes së ofertës më të favorshme për institucionin.

Shërbimet e kontraktuara mbulojnë udhëtimet zyrtare të Presidentes dhe Kabinetit të saj, ish-Presidentëve të Republikës së Kosovës dhe stafit të tyre mbështetës, Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe Sekretariatit të tij, administratës së Presidencës, si dhe trupave të tjerë këshillues, komisioneve dhe ekspertëve që mund të angazhohen për nevoja zyrtare të institucionit.

Një nga përcaktimet kryesore të kësaj kontrate është racionalizimi i shpenzimeve publike. Për këtë arsye, pa asnjë përjashtim, janë paraparë dhe kontraktuar vetëm avio-bileta të kategorisë ekonomike për të gjitha kategoritë e përfshira në kontratë.

Zyra e Presidentes mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe menaxhimit efikas e të përgjegjshëm të parasë publike, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

Të Ngjashme