Lajme

“Presidenti Historik që na vuri në anën e duhur të historisë” – Anton Quni flet për rolin profetik të Rugovës

Në 81-vjetorin e lindjes së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, figura e tij rikthehet fuqishëm në kujtesën kolektive të Kosovës si arkitekti i shtetësisë moderne. Për “Bota sot”, nënkryetari i LDK-së dhe deputeti Anton Quni, Rugovën e quan themelues vizionar, udhërrëfyes moral dhe njeriu që e bëri të mundur shtetin e Kosovës.

Quni thotë se roli i Rugovës ishte vendimtar jo vetëm në kohën e rezistencës paqësore, por në vetë konceptin e shtetformimit shqiptar.

“Rugova ishte arkitekti i pavarësisë – ai e vuri Kosovën në anën e duhur të historisë. Roli i Dr. Ibrahim Rugovës vlerësohet si themelor dhe vizionar në krijimin e shtetit të Kosovës. Ai shërbeu si arkitekt i strategjisë së pavarësisë,” deklaron Quni.

Image
Anton Quni

Sipas tij, Rugova ndërtoi një strukturë shtetërore brenda rrethanave të okupimit, duke krijuar atë që u njoh si “shteti paralel”.

“Rugova ndërtoi shtetin paralel dhe siguroi mbështetjen e fuqive perëndimore për çështjen e Kosovës. Strategjia e tij e rezistencës paqësore e vendosi lëvizjen tonë kombëtare në anën e duhur të historisë,” thekson ai.

Quni shton se Rugova i dha Kosovës identitetin modern politik.

“Ai artikuloi qartë synimin për një Kosovë të pavarur dhe demokratike, duke e vendosur platformën tonë shtetërore në boshtin euro-atlantik – platformë që më 2008 u bë themeli i shpalljes së Pavarësisë”, deklaron Quni. 

Nënkryetari i LDK-së thotë se figura e Rugovës i ka mbijetuar kohës, përçarjeve politike dhe tentimeve për përvetësim.

“Trashëgimia politike dhe simbolika e Presidentit Rugova mbeten jashtëzakonisht të rëndësishme dhe shihen si një pikë referimi unifikuese, përtej ndasive partiake,” nënvizon Quni.

Ai veçon tre shtylla të rugovizmit.

“Rezistenca paqësore, Orientimi pro-perëndimor dhe lidhja e palëkundur me SHBA-në, Vizioni i Kosovës si shtet demokratik, tolerant dhe europian. Vizioni i tij mbetet busulla jonë politike. Në LDK, çdo veprim politik është zhvilluar mbi themelet që vendosi Rugova,” shton Quni.

Sipas tij, edhe kur partitë tentojnë ta përdorin emrin e Rugovës për interesa të ngushta, figura e tij i tejkalon të gjitha kufijtë.

“Ai është Presidenti Historik – figurë qendrore e rrugëtimit drejt lirisë, i respektuar nga pothuajse të gjithë.”

Quni ndalet edhe te periudha e rezistencës paqësore, të cilën e konsideron gurthemel të ndërhyrjes ndërkombëtare dhe shpëtimit të popullit shqiptar.

“Periudha e rezistencës paqësore, ‘Doktrina Rugoviane’, është momenti më i ndritur i diplomacisë shqiptare para luftës,” deklaron ai.

“U ruajt shpirti kombëtar, u funksionalizua arsimi dhe shëndetësia në kushte të okupimit, u krijuan institucionet paralele – nga shkolla te Presidenti. Kjo ishte forma më e fuqishme e vetëqeverisjes dhe mohimit të pushtetit serb,” thotë ai.

Quni thekson se Rugova i dha Kosovës një epërsi të pakontestueshme morale.

“Strategjia paqësore parandaloi një spastrim etnik shumë më herët dhe i dha Kosovës epërsi morale ndaj regjimit të Milosheviqit”, shprehet Quni. 

Ai kujton se përpjekja e Rugovës për t’i mbajtur të hapura dyert e diplomacisë ishte jetike për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

“Angazhimi i tij i palodhur në kryeqytetet perëndimore bëri që çështja e Kosovës të mos harrohej. Kjo diplomaci ishte hyrja kritike që e çoi deri te ndërhyrja e NATO-s”, përfundon deputet i LDK-së.