Vetëm edhe tetë ditë kanë mbetur që nga afati për postin e presidentit të ri të Kosovës.
Kreu i qeverisë, Albin Kurti, tashmë ka filluar takimet me opozitën për këtë çështje, gjersa thotë se nga partia e tij nuk kanë ndonjë emër për ketë post.
Të njëjtin qëndrim e ka përsëritur sot edhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.
Ajo bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj nuk kanë dalë ende me një kandidat, duke shtuar se emri do të bëhet publik vetëm pasi të përmbyllen konsultimet me deputetët dhe grupet e tjera parlamentare, me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të garantuar stabilitet institucional.
“Po, aktualisht nuk kemi një emër konkret, për të cilin e dimë se ka mbështetje të plotë, për të vazhduar me votimin, gjegjësisht sigurimin e 80 votave të nevojshme për votimin e presidentit. Por natyrisht kryeministri Kurti do të vazhdojë diskutimet me të gjithë ata që mund të ndikojnë në këtë proces, në radhë të parë pra me kryetarët e partive, me deputetët, me grupet, në mënyrë që të sigurohemi që deri me datën 5, kur ne duhet të kemi të zgjedhur presidentin ose presidenten e vendit, të kemi së paku 80 deputetë të cilët do të qëndrojnë në sallë, e më e mira do të ishte që edhe të marrin pjesë në votim, e të përfundohet me votimin e kandidatit i cili do të ishte përfaqësues i të gjitha subjekteve që marrin pjesë në votim”, ka thënë ajo për eo.
Në anën tjetër, tashmë kërkohet që Osmani të përgatitet për ta lënë postin e presidentit të Kosovës.
Skënder Kapiti, analist politik në një shkrim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Osmani edhe mund edhe duhet “të përgatitet”.
Sipas tij, ka gjasa të mëdha që ajo të largohet.
“Vjosa edhe mund e duhet të “përgatitet” për të lënë postin e Presidentit të Kosovë! Presidentja aktuale e Kosovës pretendon edhe një mandat tjetër si Presidente e Kosovës, por ajo edhe duhet të “përgatitet” se mund të largohet si Presidente, dhe kjo e dyta i ka gjasat më të mëdha.
Në Kosovë Presidentin e zgjedh politika. Pas konstituimit të Kryeparlamenarit dhe të qeverisë, tani radhën e ka zgjedhja e Presidentit, të cilin e zgjedh parlamenti,pra politika, pra konsensusi politik”, shprehet Kapiti.

Skënder Kapiti
Sipas tij, Osmani nuk e plotëson kriterin politik, kjo sepse ajo tashmë nuk ka “parti”.
Ai thotë se Kosova është e lodhur nga zgjedhjet e parakohshme dhe nuk e ka luksin për ato.
“Vjosa Osmani nuk plotëson kriterin politik sepse ajo tashë nuk ka “PARTI” dhe si e tillë ajo duhet të mësohet, të përgatitet dhe të mos dëshpërohet pse ajo mund të moszgjidhet Presidente e Kosovës, sepse posti i Presidentit nuk është tapi, dhe nuk bëhet kijameti nëqoftëse Vjosa nuk zgjidhet përsëri Presidente.
Kosova tashmë është lodhur me zgjedhje të parakohshme dhe nuk ka më luksin për të shkuar në zgjedhje të reja parlamentare për kaprrico të ndokujt”, deklaron analisti.
Në fund, ai shton se Osmani mendon që ka mbështetje publike, por rregulli dhe ligji demokratik vendos kush zgjidhet president.
“Sado që po mundohet Presidentja aktuale për profilin dhe imazhin si e preferuara e perëndimit, dhe sado që dukjet e saj në media e takime ndërkombëtare me të cilat ajo mendon të sfidojë Albin Kurtin, dhe me këto ajo mendon se u bën presion partive politike, dhe po ashtu edhe mendon se ajo është dhe ka mbështetje publike, por më në fund vendos rregulli dhe ligji demokratik se kush zgjidhet President. Nuk e zgjedhin Presidentin as “mbështetja” nga kryeministri i Shqipërisë dhe as disa opinioniste e gazetarë, dhe kjo u pa në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, ku reklama, propaganda dhe promovimi mediatiko-gazetaresk nuk mundi të sjellë në pushtet opozitën, por madje ajo humbi edhe më thellë akoma”, përfundon Kapiti.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon në prill të vitit 2026. Ajo e nisi këtë detyrë më 4 prill 2021, kur u zgjodh nga Kuvendi i Kosovës me 71 vota për, nga 82 deputetë pjesëmarrës në votim.
Si presidentja e dytë grua në historinë e Kosovës dhe e gjashta në radhën e krerëve të shtetit që nga paslufta, Osmani synon edhe një mandat në krye të institucionit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka bërë tashmë të qartë synimin për një mandat të dytë në postin më të lartë shtetëror dhe deri më tani nuk ka sinjale publike për kandidatë të tjerë që do t’i hyjnë kësaj gare.
