Kosova nuk arriti ta zgjedhë më 5 mars pasuesin e presidentes Vjosa Osmani – të cilës i mbaron mandati më 4 prill – dhe çështja u dërgua në gjykatën më të lartë të vendit për shkak të krizës procedurale dhe interpretimeve të ndryshme kushtetuese.
Në fillim të kësaj jave, Gjykata Kushtetuese e pezulloi deri më 31 mars një dekret të presidentes Osmani, përmes të cilit ajo e kishte shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 6 mars, një ditë pasi dy kandidatët e propozuar nga partia në pushtet e Kurtit, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit.
Vendimi i Kushtetueses nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë zgjedhje të reja dhe Kuvendi nuk mund ta vazhdojë me seancën për zgjedhjen e presidentit deri më 31 mars.
Partitë opozitare e pamundësuan votimin sepse e braktisën sallën, pasi kishin dështuar bisedimet paraprake me Kurtin për një emër që do ta gëzonte mbështetjen e nevojshme.
Pas gjithë këtyre zhvillimeve ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me skenën politike në ditët e ardhshme dhe sa janë gjasat për zgjedhje të reja.
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.
Fillimisht, ai paralajmëroi se vendi po shkon drejt një bllokade të re, derisa nuk u shpreh shumë optimist se mund të ketë ndonjë zgjidhje, pasi vlerëson se partitë po refuzojnë të bashkëpunojnë mes vete.
“Kosova po shkon prej një bllokade në tjetrën, kemi hyrë në vitin e dytë të gjendjes kësisoj. Madje, gjasat nuk janë aspak të mira që të gjendet zgjidhja. Partitë politike u treguan të papërgjegjshme, asnjëra nuk e sheh interesin e Kosovës, çdo gjë e shohin me dioptrinë e interesit partiak”.
Madje, Salihaj ka frikë se edhe nëse Kushtetuesja jep afat 60 ditor për zgjedhje të presidentit, partitë nuk do arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për këtë.
Në këtë pikë, ai beson se nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, kjo do ishte shumë e rrezikshme dhe do kishte pasoja të mëdha.
“Duhet pasur frikën se edhe nëse Gjykata Kushtetuese ia jep Kuvendit edhe një afat 60 ditësh, partitë politike nuk do të gjejnë gjuhë të përbashkët për ta zgjedhur presidentin. Unë mendoj se zgjidhje ka, por nuk ka vullnet të bëhet kjo.
Nëse shkohet në zgjedhje të reja, situata do të jetë shumëfish më e keqe, sepse ka rrezik të na përsëritet situata e bllokadës së vitit të kaluar, kur vie në rrezik edhe konstituimi i Kuvendit, edhe formimi i Qeverisë”, përfundoi Adem Salihaj për “Bota sot”.
