Ushtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës paraqesin lirinë për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës, kështu ka thënë presidentja Vjosa Osmani të dielën.
Osmani e cila iu drejtua ushtarëve amerikanë në Thayer Hall të akademisë ushtarake West Point ka theksuar se trashegëmia e SHBA-së dhe ushtarëve të saj janë liria dhe ndihma e ofruar në çlirimin e vendit.
“Përtej kufijve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kombet anembanë botës i kanë shpresat e tyre edhe tek ju, ashtu edhe ne në Kosovë. Fëmijëria ime u formësua nga lufta, një luftë e varur nga gjenocidi dhe regjimi i Millosheviqit, duke marrë jetën e mijëra civilëve”, ka thënë Osmani.
“Si fëmijë kam dëgjuar histori, histori për ushtarët amerikanë dhe ushtrinë amerikane, dhe për mua në atë kohë ata ishin më shumë se vetëm ushtarë, ishin mishërim i përsosmërisë dhe integritetit, më shumë se çdo gjë, ushtarët amerikanë prezantojnë diçka shumë më tepër për ne në Kosovë”.
“Ata prezantuan lirinë, sepse ushtarët e SHBA-së ishin për lirinë, ata ishin për demokracinë, për paqen dhe sigurinë. Diçka që ne nuk e kemi ditur derisa ju dhe të tjerë në mesin e ushtrisë amerikane na erdhën në shpëtim”.
“Kur forcat e lirisë kaluan nëpër rrugët e Kosovës dhe flamuri amerikan valëvitej mbi një popull të çliruar, kishte gëzim, kishte mirënjohje, kishte besim se drejtësia kishte triumfuar. Rrugët u mbushën me festë me njerëz që më në fund morën frymë në liri. Dhe kjo është trashëgimia e ushtarëve amerikanë për trashëgiminë e popullit tonë, dhe kjo është e SHBA-së për ne të kthyer në atdhe”, ka pohuar Osmani.
Kosova dhe Amerika kanë miqësi të veçantë dhe ditëve të fundit janë shtuar vizitat e politikanëve të Kosovës në Amerikë.
Momentalisht atje po qëndron kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, por edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kjo e fundit, është duke qëndruar në New York dhe po merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të OKB-së.
Ajo ka takuar disa liderë botërorë gjatë këtyre ditëve, duke tentuar avancimin e raporteve mes Kosovës dhe vendeve tjera.
Ndërsa, të hënën është takuar me ish-presidentin e ShBA-së Bill Clinton dhe ish-sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton.
Ajo i ka falënderuar ata “për gjithçka që kanë bërë për Kosovën”.
“Liria e popullit tonë mbanë edhe vulën e kontributit tuaj të pakrahasueshëm!”, tha Osmani.
Gjersa vizitat në SHBA nuk po ndalen, “Bota sot” ka pyetur kryetarin e Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha, për këshilla apo sugjerime ndaj qeveritarëve pozitarë dhe opozitarë karshi Amerikës dhe vendeve aleate në rrethanat e tanishme.
Berisha u shpreh se pozita dhe opozita duhet të jenë bashkë në proceset integruese, politikën e jashtme dhe në koordinimin me partnerët strategjik në krye me SHBA.
“Qeveria dhe opozita duhet të jenë unik sa i takon procesit të dialogut dhe shtrirjes së rendit kushtetues dhe juridik në gjithë territorin e Kosovës. Duhet të jenë bashkë në proceset integruese, politikën e jashtme dhe në koordinimin me partnerët tanë strategjik në krye më SHBA-të. Inkurajoj spektrin politik të Kosovës që të thellojnë bashkëpunimin dhe koordinimin me SHBA-të në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në këtë segment të koordinohen ngushtë, në fushën e energjisë, Intelegjencës Artificiale dhe disa sektorëve tjerë vital për të ardhmen e Kosovës”, shprehet Berisha.
Elmi Berisha
“Bashkëpunimi, mbështetja, këshillat dhe asistenca amerikane në këta sektorë janë garancë e prosperitetit, zhvillimit dhe sukseseve të Kosovës në integrimet euro-atlantike që është edhe orientim strategjik i shtetit dhe popullit të Kosovës”, ka shtuar ai.
Tutje, sipas tij, pa marrë parasysh kush fiton në SHBA, politika amerikan do të jetë konistente dhe gjithmonë në mbështetje për shqiptarët.
“Cilido kandidat që fiton garën për Shtëpinë e Bardhë nga cilido kamp politik është adresë e njohur për neve dhe i kemi dyert e hapura. Një gjë mund të ju garantoj se pa marrë parasyshë se kush fiton në SHBA, politika amerikane do të jetë konsistente dhe gjithmonë në mbështetje të fuqishme për shqiptarët dhe Kosovën. Këtu nuk kemi fare dilema. Ne e respektojmë votën e lirë të qytetarëve të Kosovës. Kushdo që fiton garën në zgjedhjet parlamentare në fillim të vitit të ardhshëm në Kosovë, ne do e respektojmë secilën qeveri të dalë nga vota e popullit dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e ardhshme në funksion të forcimit të miqësisë SHBA-Kosovë dhe do e ndihmojmë shtetin e Kosovës me tërë potencialin tone”, ka përfunduar Berisha.