LifeStyle

Prezantohet Barbie e parë me autizëm në histori, ja si duket kukulla e famshme

Kompania Mattel prezantoi sot, më 12 janar, Barbie-n e parë me autizëm, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfaqësimit dhe përfshirjes në industrinë e lodrave.

Barbie e re është krijuar posaçërisht për të reflektuar përvojat e fëmijëve në spektrin e autizmit, përmes detajeve konkrete dhe mjeteve ndihmëse që përdoren në jetën e përditshme.

Ajo mban kufje rozë për reduktimin e zhurmës, të cilat ndihmojnë në përballimin e mbingarkesës shqisore, si dhe një “fidget spinner” funksional në njërën dorë.

Image

Në dorën tjetër, kukulla ka një tablet që simbolizon pajisjet e Komunikimit Alternativ dhe Përforcues (AAC), të përdorura nga persona që kanë vështirësi në të folur ose në komunikim verbal.

Shikimi i Barbie-s është lehtësisht i drejtuar anash, një detaj që reflekton faktin se disa persona me autizëm shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me sy. Edhe veshja është menduar me funksionalitet në fokus: një fustan vjollcë me vija, i gjerë dhe me prerje të lirshme, për të minimizuar kontaktin e pëlhurës me lëkurën – një preferencë e zakonshme tek personat me ndjeshmëri të shtuar shqisore.

Kjo Barbie i bashkohet linjës “Fashionistas” të Mattel, e cila përfshin kukulla me tone të ndryshme lëkure, tekstura flokësh, tipe truporë dhe gjendje shëndetësore, si diabeti i tipit 1, sindroma Down dhe verbëria.

Për dizajnin e saj, Mattel bashkëpunoi ngushtë me organizatën jofitimprurëse Autistic Self Advocacy Network, për të siguruar një paraqitje të saktë dhe të bazuar në prova shkencore.

Image

“Është shumë e rëndësishme që të rinjtë me autizëm të shohin përfaqësime autentike dhe pozitive të vetes së tyre, dhe kjo kukull është pikërisht e tillë,” u shpreh Kolik Kilick, drejtor ekzekutiv i rrjetit.

Ai shtoi se bashkëpunimi me Barbie lejoi ndarjen e ideve dhe udhëzimeve gjatë gjithë procesit të dizajnimit, në mënyrë që kukulla të nderojë plotësisht komunitetin e personave me autizëm dhe mjetet që i ndihmojnë ata të jenë të pavarur.

Sipas Mattel, kukulla synon të përfaqësojë rreth 1 në 31 fëmijë në Shtetet e Bashkuara që diagnostikohen me autizëm deri në moshën 8-vjeçare.

Autizmi është një kategori e gjerë dallimesh neurozhvillimore që ndikojnë në komunikim, ndërveprim shoqëror dhe perceptimin e botës. Ai shfaqet zakonisht para moshës 3 vjeç dhe shoqëron individin gjatë gjithë jetës. Edhe pse nuk ka kurë, mbështetja e hershme dhe ndërhyrjet e duhura mund të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës.

Studimet tregojnë se autizmi diagnostikohet më shpesh tek djemtë, por shumë specialistë theksojnë se tek vajzat ai shpesh nën-diagnostikohet ose zbulohet më vonë. Zgjedhja e një Barbie femër synon gjithashtu të vërë në pah këtë realitet të rëndësishëm.