Kuriozitete

Prindër, kini kujdes: Kur fëmija ju godet, vetëm një reagim është i duhuri

Një terapiste për fëmijë këshillon se çfarë duhet të bëjnë prindërit nëse fëmija i godet

Ndërsa fëmija rritet, nuk është e pazakontë që të fillojë të godasë gjëra, qoftë duke hedhur apo goditur lodrat, apo madje duke goditur prindërit dhe anëtarët e familjes.

Edhe pse kjo është një fazë normale e zhvillimit, sepse fëmijët ende nuk dinë ndryshe si të shprehin frustrimin, është shumë e rëndësishme që prindërit t’u tregojnë se goditja dhe hedhja e gjërave nuk janë të pranueshme. Nëse kjo shpërfillet, me kohë mund të çojë në probleme më serioze të sjelljes.

Sipas fjalëve të terapistes për fëmijë, Shannon Bouchard, të mësosh fëmijën se goditja nuk është në rregull në fakt nuk është aq e vështirë, çelësi është tek ajo që duhet t’i thuhet.

Në një video në TikTok, Shannon reagoi ndaj një pamjeje ku një nënë goditej në fytyrë nga fëmija i saj. Nëna i thoshte se nuk duhej ta godiste dhe e lutej të “sillet mirë”, ndërsa fëmija vazhdonte ta godiste.

Shenon shpjegoi se kjo është një situatë tronditëse për çdo prind dhe vendosi të ndajë një këshillë që mund të ndihmojë në këto momente,

“Reagimi ynë i parë është të themi ‘Jo, mos e bëj këtë’ apo ‘Mos më godit’. Por kjo nuk funksionon. Fëmijët më të vegjël se dy vjeç kuptojnë vetëm fjalët e fundit që ua themi, nuk e kuptojnë të gjithë fjalinë”, thotë terapistja.

“Nëse i thoni ‘Mos godit’, ata dëgjojnë ‘Godit’. Nëse i thoni ‘Mos hidh’, dëgjojnë ‘Hidh’. Prandaj, në fund të fjalisë duhet t’u jepni udhëzime të qarta për atë që lejohet të bëjnë”.

“Fëmijët e vegjël nuk e kuptojnë kur u themi ‘jo’”

Shannon theksoi se nëna në video “ishte në rrugë të mbarë” kur i tha fëmijës të “sillet mirë”, por një mesazh i tillë është shumë i paqartë – fëmijëve u duhet një udhëzim konkret, të cilin mund ta kuptojnë dhe ta përsërisin.

“Duhet t’u ofroni një zëvendësim të qartë për atë sjellje. Në këtë rast, unë do të thoja diçka si: ‘Nuk godasim, duart janë për duartrokitje!’ ose ‘duart janë për përqafime’, ose ‘duart janë për të mbajtur’”, shtoi ajo.

Nëse fëmija vazhdon të godasë, edhe pas këtij orientimi, terapistja këshillon të largoheni nga situata për t’i treguar se kjo nuk është e pranueshme.

“Sa më gjatë të rrini aty dhe të lejoni të ju godasë, aq më shumë i dërgoni mesazh se kjo është në rregull”, paralajmëron Shannon dhe thekson se fëmijët e vegjël nuk e kuptojnë kur u themi ‘jo’.