Lajme

Pritë në derë të shtëpisë për Bejtjan dhe Gjeloshin, e njëjta skuadër me 4 vetë besohet se bëri dy atentatet

E njëjta skuadër që sulmoi me armë dhe vrau në Larushk, në sy të gruas dhe dy fëmijëve Gentjan Bejtjan, dyshohet shumë se ka marrë pjesë dhe në atentatin e organizuar në muajin shkurt 2024, kundër biznesmenit Ardjan Gjeloshi në Kurbin.

Në këtë ngjarje të rëndë mbeti i plagosur Ardjan Gjeloshi, ndërsa u vra në vend, ekonomisti i firmës së tij, Selman Mihana.

Indiciet e policisë dhe prokurorisë se në dy ngjarjet kriminale të rregjistruara përkatësisht në 10 shkurt dhe 15 Mars 2024, kanë të njëjtë skuadër vrasësish, erdhën pasi të dyja ngjarjet kishin të njëjtën dinamikë veprimi.

4 autorët kanë qëlluar me armë kallashnikovi në drejtim të Ardjan Gjeloshi, por pa mundur ta vrasin objektivin. Ata përdorën një automjet “Range Rover”, të cilin i kishin vendosur fenelina policie dhe hynë në oborrin e zyrave ku ushtron biznes Ardjan Gjeloshi, nga ku qëlluan më pas me 4 armë automatike.

Policia gjeti poshtë urës së lumit Mat makinën e djegur dhe 4 automatikët, por nuk mundi të bjerë në gjurmët e autorëve.

Por e njëjta skemë ka ndodhur gati 1 muaj më pas në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, ku dyshohet se e njëjta skuadër e përbërë nga 4 vetë, të hipur në një makinë “Range-Rover”, hyjnë në oborrin e shtëpisë së Gentjan Bejtjas dhe vrasin me 45 plumba këtë të fundit.

Dy kanë qëlluar në drejtim të Bejtjas, njëri prej tyre ka mbajtur nën kërcënimin e armës gruan dhe dy fëmijët, ndërsa personi i 4 ka qëndruar në timonin e makinës.

Pas ngjarjes policia gjeti makinën “Range-Rover” të djegur së bashku me 4 automatikët. Sipas burimeve nga grupi i hetimit këto janë indiciet kryesore që kanë krijuar dyshime të forta për pjesëmarrjen e të njëjtit grup në dy ngjarje kriminale.

Pritet që në ditët në vijim kjo dosje ti kalojë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Posaçme.

E teksa për ngjarjen e 10 shkurtit 2024 ku mbeti i vrarë gabimisht Selman Mihana dhe u plagos objektivi Ardjan Gjeloshi nuk ka asnjë person të arrestuar, për ngjarjen e 15 marsit 2024 ku mbeti i vrarë Gentjan Bejtja janë arrestuar Ilirjan Beqaraj, Edison Haxhiu dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar njëri nga gjuajtësit Florind Plaku nga Vlora.

Tashmë për Plakun, kërkimet janë shtrirë në Spanjë, vend në të cilin dyshohet se fshihet.