Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiç, kanë propozuar në të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung një qasje të re për Ballkanin Perëndimor, duke sugjeruar jo vetëm anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, por edhe integrim në tregun e përbashkët dhe zonën Shengen.
Megjithatë, analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Brukseli ka dërguar mesazhe të qarta se integrimi nuk është dhuratë dhe kërkon përmbushjen e detyrave nga vendet aspiruese, ndërsa shqetësimet për demokracinë, korrupsionin dhe sundimin e ligjit në Shqipëri dhe Serbi mbeten pengesa të mëdha për avancimin e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Ai ka vlerësuar se për Shqipërinë ka bërë më shumë rehabilitimi personal i udhëheqësve sesa avancimi real i reformave.
“Kujtoj se më shumë është bërë për rehabilitimin e tyre personal, pa të dy liderëve Rama dhe Vuçiq në opinionin e brendshëm në dy shtetet respektive, tani kur nga Brukseli kanë marrë mesazhe të qarta dhe të prera se nuk do të ketë integrim në tavolinë apo si dhuratë, por integrimi është proces që kërkon kryerjen e detyrave të shtëpisë nga se cili shtet që ka ambicie për t’iu bashkuar bllokut. Shqipëria ka problemet e saja me krimin dhe korrupsionin, me një qeveri të kalbur në korrupsion dhe krim të organizuar, një shtet që nuk bënë dot zgjedhje të lira dhe demokratike, por që parat e drogës janë ato që përcaktojnë fituesin, tutje ndërhyrjet e kryeministrit Rama në drejtësi për ti mbrojtur ministrat e korruptuar, presioni ndaj mediave e të tjera, kanë bërë që në Bruksel nuk ka entuziazëm për ta shtyrë tutje Shqipërinë drejtë hapjes së kapitujve në procesin r anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.
Më tej, Haziri ka shtuar se procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE është ngrirë nga Brukseli për shkak të mungesës së demokracisë dhe kryesisht mosgatishmërisë së Beogradit për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Nexhat Haziri
“Ndërsa sa i përket Serbisë, ka kohë që Brukseli e ka ngrirë procesin e hapjes së kapitujve për anëtarësim të Serbisë në bllok, si reagim ndaj situatës politike atje, siç është mungesa e demokracisë, krimi dhe korrupsioni, kontrollimi i gjyqësorit me dorë të hekurt nga pushteti, të drejtat e njeriut, kontrolli i mediave dhe presioni ndaj atyre të pavarura, dhe ajo që është kryesorë, mosgatishmëria e Beogradit zyrtar për të bërë përparime në procesin e normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën”, ka theksuar ai .
Në fund, Haziri ka nënvizuar se Rama dhe Vuçiq përdorin raportet me BE-në për të fshehur dështimet e tyre dhe për të shmangur detyrimet e integrimit, duke e kthyer procesin në një marrëdhënie tregtare.
Sipas tij, qëllimi i tyre është të mbajnë regjimet autoritare në Shqipëri dhe Serbi, dhe se bashkëpunimet e tilla propagandistike përsëriten sa herë që përballen me probleme në qeverisje.
“Duke pasur parasysh këto, Rama dhe Vuçiq, për ti mbuluar dështimet e tyre, zgjodhën që përmes një editoriali kërkuan që raportet me BE-në dhe procesin integrues ta kthejnë në një marrëdhënie tregtare me Brukselin, edhe për arsyen që t’i ikin obligimeve apo përmbushjen e detyrave që ua kanë kërkuar në Bruksel. Pra thjesht nuk po e duan integrimin, dhe kjo nuk ka të bëjë shumë me Kosovën, se sa me vazhdimin e regjimeve autoritare në Shqipëri dhe Serbi. Fundi fundit, nuk është hera e para që këta dy lider sa herë që janë në vështirësi me qeverisjet e tyre, bëhen bashkë në ndonjë projekt mashtrues e propagandues që është vetëm në funksion të vazhdimit të regjimeve të tyre në shtetet respektive”, ka përfunduar Haziri.
