Profesori dhe studiuesi Eshref Ymeri ka komentuar zhvillimet e fundit politike lidhur me postin e presidentit në Kosovë, duke theksuar natyrën parlamentare të shtetit dhe rolin më shumë simbolik të presidentit.
Sipas tij, në Republikën e Kosovës, që ai e quan Republikë e Dardanisë, figura qendrore e pushtetit është kryeministri, ndërsa presidenti ka rol kryesisht honorifik.
“Republika e Dardanisë është një republikë parlamentare, në të cilën figurë qendrore është kryeministri, kurse posti i presidentit është honorifik. Ndërsa në republikat presidenciale, figurë qendrore është presidenti,” thekson Ymeri.

Prof.dr. Eshref Ymeri
Duke komentuar debatet për rizgjedhjen e presidentes aktuale Vjosa Osmani dhe propozimin për një kandidat nga Familja Jashari, ai paraqet dy qëndrime kryesore.
Së pari, Ymeri vlerëson se Osmani duhej të tërhiqej vetë nga kandidimi për një mandat tjetër, për të dhënë një shembull të kulturës demokratike.
“Zonja Vjosa Osmani duhej të kishte deklaruar publikisht se nuk do të kandidonte më për postin e presidentit, në mënyrë që të jepte shembullin se posti politik është një detyrë e përkohshme,” shprehet ai.
Ai shton se një veprim i tillë do të kishte ndikim pozitiv edhe për Shqipërinë, ku sipas tij, politika shpesh shihet si “karrierë e përjetshme”.
Në këtë kontekst, Ymeri veçon edhe procesin zgjedhor në Kosovë, duke e krahasuar me standardet ndërkombëtare.
“Republika e Dardanisë, me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, dëshmoi para botës se është shtet ligjor që respekton me rigorozitet vullnetin e zgjedhësve, në kontrast me Shqipërinë, ku rezultatet shpallen pas një ose dy muajsh,” deklaron ai.
Së dyti, ai thekson profilin akademik dhe politik të presidentes Osmani, duke nënvizuar se një tërheqje vullnetare do t’ia rriste edhe më shumë kredibilitetin publik.
“Zonja Osmani është një intelektuale me autoritet të lartë shkencor dhe politik. Nëse ajo do të tërhiqej nga kandidimi, kjo do t’ia rriste edhe më shumë autoritetin në sytë e opinionit publik,” thekson Ymeri.
Megjithatë, ai shton se nëse Kuvendi do ta votonte sërish, ajo mund të rizgjidhej në mënyrë legjitime.
Sa i përket propozimit për një kandidat nga Familja Jashari, Ymeri e konsideron këtë si një akt me peshë simbolike dhe kombëtare.
“Kandidatura e dikujt nga Familja Jashari për postin e presidentit do të ishte një nderim i madh për Heroin e Kombit Adem Jashari,” shprehet ai.
Sipas tij, një kandidaturë e tillë do të shërbente edhe si test për spektrin politik në Kosovë.
“Kjo do të ishte edhe një provë për opozitën, e cila do të tregonte nëse është për bashkëpunim në mbrojtje të interesave të vendit apo e ndikuar nga interesa të tjera,” përfundon Ymeri.
