Lajme

“Projekt madhor”, Mitrovica përfiton nga investimet e reja shëndetësore me mbështetje nga Emiratet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe një delegacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vizituar sot Komunën e Mitrovicës së Jugut, ku janë pritur nga kryetari Faton Peci.

Takimi shërbeu për të prezantuar projekte madhore shëndetësore dhe për të diskutuar mundësi investimesh që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve shëndetësore në rajon.

Presidentja Osmani tha se projektet e propozuara do të ndryshojnë historinë e Mitrovicës.

“Një projekt madhor, i cili besoj se do ta ndryshojë historinë e Mitrovicës së Jugut”

“Unë i kam prezantuar disa projekte konkrete, me shpresën që Emiratet e Bashkuara Arabe do të na mbështesin. Siç e dini, Spitali i Fëmijëve ka qenë donacion nga Emiratet, tani e kemi edhe donacionin e dytë, Spitalin e Gjinekologjisë, i cili do të ndërtohet nga fillimi. Deri pak më herët ishim në QKUK, ku e pamë edhe lokacionin ku do të ndërtohet, dhe tani erdhëm në Mitrovicë, ku kemi prezantuar bashkërisht me ministrin e Shëndetësisë dhe kryetarin e komunës një projekt madhor, i cili besoj se do ta ndryshojë historinë e këtij qyteti dhe do të ketë impakt të jashtëzakonshëm jo vetëm në shëndetin e qytetarëve, por edhe më gjerë, me shpresën që do ta arrijmë një pajtim që Emiratet e Bashkuara Arabe të na mbështesin në atë drejtim. Dua ta falënderoj edhe njëherë presidentin e Emirateve, i cili menjëherë pas takimit tonë ka dërguar delegacionin e nivelit të lartë, ministrat dhe udhëheqësin e investimeve strategjike në kabinetin e tij, në mënyrë që të dakordohemi për hapa të mëtejmë”, tha Osmani.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, theksoi se projekti nuk ka ndikim vetëm lokal.

Ai tha se do të jetë njëri prej projekteve që do ta ndryshojë qasjen dhe kualitetin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore.

Peci: Projekt që do ta ndryshojë qasjen dhe kualitetin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore

“Jo vetëm si komunë, por projekti, i cili është negociuar nga presidentja dhe që bëhet në koordinim edhe me Ministrin e Shëndetësisë dhe me mbështetjen e vendeve mike, në këtë rast sikurse janë Emiratet e Bashkuara Arabe, jo që e ndryshon gjendjen ekonomike në Mitrovicë dhe shërbimet shëndetësore, por do të jetë njëri prej projekteve që do ta ndryshojë krejt qasjen dhe kualitetin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, duke pasur impakt të jashtëzakonshëm edhe në aspektin ekonomik për Mitrovicën, por jo vetëm për Mitrovicën. Ideja dhe projeksioni që ne i kemi diskutuar sot dhe që presidentja i ka diskutuar gjatë vizitës, e ndryshojnë nivelin e shërbimeve shëndetësore dhe e ndryshojnë tërësisht nivelin e mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik të Mitrovicës”- deklaroi Peci

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi punën e vazhdueshme për zhvillimin e infrastrukturës shëndetësore në vend.

Vitia: Jemi në përfundim të analizës për ndërtimin edhe të pesë poliklinikave specialistike

“Jemi para një projekti gjigant, siç tha presidentja dhe kryetari Fatoni, është spitali në Mitrovicë, i cili, përveç që do të jetë një nga spitalet më moderne, me infrastrukturë dhe pajisje bashkëkohore, do të ofrojë shërbime për të gjithë rajonin, duke përfshirë Mitrovicën Jugore, Mitrovicën Veriore, por edhe pjesët e tjera si Vushtrria, Skenderaj dhe më gjerë. Ne kemi bërë një analizë dhe, përkundër të gjitha investimeve që mund t’i bëjmë në QKUK, prapë fluksi i pacientëve do të jetë shumë i lartë, sepse një pjesë e madhe e pacientëve nuk i marrin shërbimet në spitalet rajonale. Tashmë kemi filluar në Prizren, Pejë dhe Gjakovë me disa investime, dhe do të vazhdojmë në çdo spital tjetër rajonal, në mënyrë që secili qytetar në këto qytete të marrë shërbime sa më afër dhe sa më cilësore, dhe të mos krijohen tollovitë e zakonshme siç janë në QKUK. Përveç kësaj, jemi duke e studiuar dhe jemi në përfundim të analizës për ndërtimin e edhe pesë poliklinikave specialistike në regjione”, tha Vitia.

Vizita e presidentes Vjosa Osmani, ministrit Arben Vitia dhe delegacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Mitrovicën e Jugut nënvizon përkushtimin për zhvillimin e infrastrukturës shëndetësore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. 

Të Ngjashme