LifeStyle

Projekti i ri – Pas suksesit ndërkombëtar, filmi ‘KPop Demon Hunters’ do të rikthehet me një episod të ri

Platforma e transmetimit “Netflix” ka njoftuar realizimin e një vazhdimi për filmin e animuar KPop Demon Hunters, i cili është bërë filmi më i shikuar në historinë e platformës me mbi 480 milionë shikime. Megjithatë, kompania nuk ka publikuar ende një datë zyrtare të daljes së projektit të ri.

Vazhdimi do të jetë projekti i parë nën një marrëveshje të re shumëvjeçare dhe ekskluzive mes “Netflix” dhe bashkëregjisorëve Maggie Kang dhe Chris Appelhans.

Filmi origjinal ndjek historinë e tre anëtareve të një grupi K-pop – Rumi, Mira dhe Zoey, të cilat përballen me famën ndërsa fshehurazi luftojnë demonët.

Sipas regjisores Kang, suksesi i filmit tregon se publiku dëshiron më shumë histori të frymëzuara nga kultura koreane. “Ka shumë më tepër në këtë botë që kemi ndërtuar dhe jam e emocionuar t’ua tregojmë,” tha ajo.

Njoftimi vjen ndërkohë që filmi është në garë për dy çmime në Academy Awards, për Filmin më të mirë të animuar dhe Këngën më të mirë origjinale. Kënga kryesore e filmit, Golden, ka fituar gjithashtu një çmim në Grammy Awards për këngën më të mirë të shkruar për media vizuale, duke u bërë kënga e parë K-pop që fiton në këtë kategori.

Që nga publikimi verën e kaluar, KPop Demon Hunters është shndërruar në një fenomen kulturor, duke arritur mbi 480 milionë shikime brenda gjashtë muajve. Filmi gjithashtu ka fituar çmime në Golden Globe Awards dhe konkuron në Oscars kundër animacioneve si Zootopia 2 dhe Elio.

Të Ngjashme