Qeveria e Serbisë njoftoi të hënën se ka miratuar një projektligj që përcakton organizimin dhe kompetencat e autoriteteve gjyqësore serbe për ndjekjen e veprave penale të kryera në Kosovë. Ky vendim ka ngjallur reagime në Kosovë.
Avokati Artan Qerkini e cilëson këtë projektligj si një akt të hapur të ndërhyrjes në sistemin gjyqësor të Kosovës. Ai thekson se me miratimin e tij, Serbia synon që të ngarkojë gjykatat dhe prokuroritë e saj me kompetenca mbi hetimin dhe gjykimin e veprave penale që pretendohet të jenë kryer në territorin e Kosovës.
“Nuk ka dilemë që ky është një akt agresioni ndaj sistemit gjyqësor të Kosovës. Ngase me këtë ligj është përcaktuar kompetenca e një prokurorie dhe një gjykate në Serbi, që njëra t’i zhvillojë hetime njëra t’i gjykojë rastet. Pra që paraqesin vepra penale, e të cilat pretendohet se janë kryer në Republikën e Kosovës. Padyshim që ky është një akti i agresionit dhe ndërhyrje në sovranitetin”, ka thënë Qerkini.
Ai tutje ka shtuar se “Këtu mund të fshihet edhe një çështje tjetër. Ngase pas anëtarësimit të Kosovës në Interpol, Serbia mund të thotë se është duke bërë hetime paralele, dhe këto hetime mund të paraqiten si problematike për ekstradim. Mund të jetë edhe kjo njëra nga qëllimet”.
Për fund avokati Qerkini ka thënë se “Sidoqoftë edhe në aspekt ndërkombëtar edhe të brendshëm, veprimet procedurale që do të kryhen janë nulë, pasi janë duke u kryer nga organet jo kompetente. Dhe nuk mund të prodhojë pasoja juridike”, ka thënë Qerkini.