Prokurori Nathan Quick gjatë deklaratës përfundimtare të Prokurorisë ka deklaruar se Adem Demaçi kishte rol të kufizuar në krijimin e institucionet por ai ishte vartës i Hashim Thaçit.
Quick tha se mbrojtja e Thaçit përpiqet në mënyrë të vazhdueshme që të thotë se ishte Demaçi ai që kishte autoritet dhe pozicion. Megjithatë, Quick thotë se kjo ishte e pabazuar.
“Demaçi kishte një rol të kufizuar në krijimin e institucioneve të Kosovës por ai nuk ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Edhe ai ishte në vartësi të Thaçit”.
Quick tha se krahas rolit politik, Veseli gjithashtu ka qenë shef i shërbimit informativ i njohur ndryshe si G2.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
