Lajme

Prokuroria: Disa fakte në çështjen e ‘Calit’ janë relevante tek rasti i Thaçit dhe të tjerëve – miratohet pjesërisht kërkesa

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë një vendim për të miratuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për konstatimin gjyqësor të listës së fakteve nga rasti i Salih Mustafës, të cilat Prokuroria i konsideron relevante edhe për çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ky vendim u bë i ditur më 21 gusht gjatë konferencës javore të DhSK-së, ku zëdhënësi Michael Doyle njoftoi për zhvillimet e fundit në këtë gjykatë.

Sipas Doyle, Trupi Gjykues pranoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për përdorimin e fakteve të vendosura në rastin Mustafa në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Gjithashtu, gjykata ka miratuar një mocion të Prokurorisë për pranimin e tri deklaratave të dëshmitarëve, të cilat do të shqyrtohen pas marrjes në pyetje nga mbrojtja.

Në fillim të kësaj jave, seancat për çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit rinisën.

Ish-oficeri amerikan Steven Russell dha dëshmi të hënën dhe të martën, ndërsa dëshmitari i 79-të i Prokurorisë dëshmoi të martën pasdite, duke përfunduar dëshminë e tij dje.

Seanca e ardhshme është planifikuar për të hënën, 26 gusht, në orën 09:00.

Gjithashtu, është miratuar kërkesa e Kadri Veselit për ndërprerjen e përfaqësimit nga avokati Ben Emmerson, për shkak të prishjes së marrëdhënies klient-avokat.

Veseli ka kërkuar që avokati Rodney Dixon të emërohet si kryembrojtësi i tij i ri.

Në të njëjtin rast, është vendosur vazhdimi i paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin me dy vendime të ndara më 14 gusht, për shkak të rrezikut të pengimit të procesit gjyqësor dhe mundësisë së kryerjes së krimeve të tjera.

Për Thaçin, gjykata kujtoi se ai ka ndarë informacione të ndjeshme me vizitorë të paautorizuar.

Gjatë periudhës kur nuk u mbajtën seanca, Gjykata Supreme e ktheu në Apel rastin e Salih Mustafës për rishikim të dënimit prej 22 vitesh, dhe u caktua një panel për të vendosur për dënimin e ri.

Në lidhje me këtë çështje, Doyle informoi se më 26 korrik paraburgimi i Ismet Bahtjarit u vazhdua për shkak të rrezikut të arratisjes dhe pengimit të procedurave gjyqësore, ndërsa më 5 gusht u vazhdua paraburgimi i Sabit Januzit për rreziqe të ngjashme.

Në çështjen ndaj Pjetër Shalës, është miratuar pjesërisht kërkesa për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel ndaj aktgjykimit që e dënoi atë me 18 vjet burgim, ndërsa një kërkesë e mëvonshme për zgjatje të mëtejshme u refuzua nga paneli i Apelit.

DhSK-ja vazhdon të mbajë informime javore çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom”, duke ofruar informacione të përditësuara mbi procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e gjykatës.