Lajme

Prokuroria e Prishtinës interviston komisionerët e Drenasit për dyshime për keqpërdorim të votave

Pas Prizrenit dhe Gjakovës, radha i erdhi komunës së Drenasit.

Komisionerët e kësaj komune nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve u intervistuan të hënën.

Ata po dyshohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për keqpërdorim të votave që dolën nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

 “Këto veprime po ndërmerren lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidateve të subjekteve politike. Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, do  t’i  ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore e Prishtinës

Por vendi ku u intervistuan anëtarët e Qendrës Komunale të Drenasit nuk e treguan nga Prokuroria Themelore.

Detaje nuk dhanë as Policia e Kosovës në këtë komunë.

Vendimin nga organet e drejtësisë po e presin nga Partia Demokratike e Kosovës në këtë komunë.

Kryetari i degës, Petrit Hajdari kërkon që procesi të trajtohet me përgjegjësi dhe transparencë.

 “Drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj dhe duhet ta presim me qetësi. Ne jemi kundër çdo keqpërdorimi nga cilado palë. Vota është e shenjtë dhe duhet mbrojtur si e tillë. Meqenëse kjo çështje tashmë është në dorë të drejtësisë, duhet t’ia lëmë drejtësisë. Megjithatë duhet theksuar që jemi komunë me numër shumë të vogël të mospërputhjeve në raport me komunat tjera, ndërsa procesi zgjedhor duhet të trajtohet me përgjegjësi të plotë, transparencë dhe respekt të ligjit”, ka thënë Hajdari.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk kanë dhënë detaje nëse ndonjëri prej komisionerëve është dërguar në mbajtje.