Lajme

Prokuroria hedh posht kallëzimin e Hykmete Bajramit ndaj Arberie Nagavcit

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë kallëzimin penal të ushtruar nga deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci tha se vendimi i Prokurorisë konfirmon se nuk ekziston dyshim i arsyeshëm për kryerjen e ndonjë vepre penale lidhur me pretendimet se ajo, pas certifikimit si deputete më 27 mars 2025, kishte vazhduar të merrte vendime ekzekutive në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.

“Mirëpres vendimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila ka hedhur poshtë kallëzimin penal të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, në lidhje me pretendimet e saj se pas certifikimit tim si deputete më 27.03.2025, në pozitën e ministres së Arsimit kam vazhduar të marr vendime ekzekutive, në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë. Prokuroria ka konstatuar se nuk ekziston dyshim i arsyeshëm se kam kryer ndonjë vepër penale”, ka shkruar Nagavci.

Sipas saj, në vendimin e Prokurorisë theksohet se mungojnë provat materiale dhe juridike që do të mbështesnin dyshimet për vepër penale, duke e cilësuar çështjen si të natyrës administrative.

Pagat janë realizuar vetëm nga pozita e ministrit dhe jo e deputetit, nuk ka pasur përfitime të dyfishta dhe nuk është evidentuar asnjë përfitim i kundërligjshëm personal për të dyshuarën. Vendimet e nxjerra janë të natyrës administrative dhe nuk prekin në mënyrë të paligjshme të drejtën e askujt. Nuk evidentohet asnjë dëm material apo juridik ndaj institucioneve apo palëve të treta. Gjatë veprimeve hetimore nuk është vërtetuar se e dyshuara ka vepruar me qëllimin e domosdoshëm të kërkuar nga neni 414 i KPRK-së, nuk është provuar shkaktim dëmi dhe nuk është vërtetuar asnjë përfitim i kundërligjshëm apo ndonjë formë tjetër e interesit personal”, thuhet në vendim.

Nagavci ka theksuar se ky vendim përforcon qëndrimin e saj se të gjitha veprimet kanë qenë në përputhje me ligjin dhe në funksion të institucioneve dhe qytetarëve.

“Ky vendim konfirmon edhe një herë se veprimet e mia kanë qenë në përputhje me ligjin dhe në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve. Mbetem e përkushtuar për të ushtruar detyrat publike me përgjegjësi të plotë, transparencë dhe respekt të plotë ndaj ligjit”, ka shtuar ajo.

Të Ngjashme